Ambasadat e ShBA-së, Francës, Gjermanisë, Italisë dhe Mbretërisë së Bashkuar (të njohura si Quint), nëpërmes një deklarate të përbashkët theksojnë paanshmërinë e tyre në proceset politike në Kosovë.
“Ne bëjmë takime me udhëheqës politikë dhe institucionalë që t’i dëgjojmë pikëpamjet e tyre dhe për të pranuar informata, në mënyrë që t’i mbajmë qeveritë tona të informuara lidhur me zhvillimet”, thueht në deklaratë.
“Pjesëmarrja në takime të tilla nuk sinjalizon miratim ose mbështetje për ndonjë pozitë të veçantë apo rrjedhë të veçantë veprimi. Kjo është në përputhje me praktikën normale diplomatike”.
Megjithëse nuk saktësohet, deklarat vejn pas një takimi që presidenti Hashim Thaçi pati sot me përfaqësuesit e ambasadave të Quintit dhe përfaqësuesen e BE-së, të cilët i ka njoftuar për hapat e ndërmarrë pasi partitë politike të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës kanë shprehur vullnetin që të formohet një Qeveri e re pas shkarkimit të Qeverisë Kurti.
Në këtë takim ishin ambasadori i SHBA-së, ai i Britanisë së Madhe, i Gjermanisë, ambasadorja e Francës, ambasadori i Italisë dhe Përfaqësuesja Speciale e BE-së në Kosovë.
Thaçi u shpreh se pas konsultimeve me partitë politike është e qartë se shumica absolute janë në favor të formimit të Qeverisë së re pa shpërbërjen e Kuvendit dhe konform këtij vullneti të shprehur dhe në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës ka kërkuar nga LDK-ja kandidatin apo kandidaten për të formuar Qeverinë e re.
Thaçi ka siguruar se “çdo hap është dhe do të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës”.