Korrupsioni duhet të luftohet çdo ditë dhe jo vetëm gjatë javës ndërkombëtare që shënon luftën kundër tij. Ky ishte mesazhi që ambasadorët e Quintit në Kosovë përçuan gjatë ngjarjes përmbyllëse të organizuar nga Koalicioni Organizatave Jo Qeveritare ” Java Kundër Korrupsionit 2017″.
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Greg Delawie tha se kjo javë ka qenë e mbushur me aktivitet të shumta. Mirëpo sipas tij nuk mjafton vetëm kjo javë që të punohet kundër korrupsionit.
“Këtë javë morëm një qëndrim të përbashkët për të luftuar korrupsionin. Bashkësia ndërkombëtare është këtu për të ju ndihmuar mirëpo në fund të fundit kjo luftë ju takon juve. Gjatë kësaj jave kemi parë nëpër seanca të ndryshme, shumë deputetë kanë marr pjesë në diskutime rreth legjislacionit që do të shënojnë rrugën kundër korrupsionit”.
“Tashmë po ecim përpara me disa projekte që do të kenë impakt të drejtë për drejtë në luftimin e korrupsionit. Kjo ishte një javë e madhe dhe natyrisht mund të krenohemi me të gjitha të arriturat por nuk duhet të mbetet vetëm me deklarata. Lufta kundër korrupsionit nuk është vetëm një rast i veçantë”.
Ndërsa, shefja e zyrës së BE në Kosovë, Nataliya Apostolova, tha se Kosova kohëve të fundit ka përparuar në rregullimin e legjislacionit që mundëson luftën kundër korrupsionit.
“Lufta kundër korrupsionit mbetet prioritet i Bashkimit Evropian sepse korrupsioni ndikon në të gjitha sferat e jetës. Bashkimi Evropian në raportin e tij të vitit 2016 dhe agjendën e MSA-së i ka rekomanduar Kosovës që të ndërmarrë një varg hapash në luftimin e korrupsionit”.
“Me këtë rast më vjen mirë që mund të them se Kosova i ka përmirësuar kohëve të fundit përpjekjet për legjislacion që janë të rëndësisë së veçantë në luftën kundër korrupsionit. Në fund dua të përmbyll me mesazhin që do të përsërisë çdoherë, lufta kundër korrupsionit nuk duhet të përfundoj, korrupsioni duhet të luftohet çdo ditë”, theksoi Apostolova.
Ndërsa përfaqësuesi i OJQ-ve, Betim Musliu, tha se javën kundër korrupsionit do ta përmbyllin me një aktivitet simbolik, përmes pemës e cila ishte e vendosur në shesh dhe ishte e stolisur me rastet e korrupsionit në Kosovë.