Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Jonathan Hargreaves, nuk ka dashur të komentojë veprimin e Listës Serbe, e cila në mënyrë të organizuar iu është drejtuar qendrave të votimit në veriun e Kosovës, raporton Ekonomia Online.
Ai në një intervistë për Ekonomia Online i pyetur në lidhje me procesin e votimit të organizuar nga Lista Serbe në pjesën veriore të Kosovës, që është cilësuar si shkelje e rregullave, Hargreaves tha se vlerësimi i ligjshmërisë së procedurës nuk është në mandatin e tij, por theksoi rëndësinë që qytetarët të votojnë lirshëm dhe përfaqësuesit që besojnë se do t’u shërbejnë më mirë.
“Nuk do të komentoj nëse kjo ishte brenda apo jashtë ligjeve. Nuk më takon mua ta komentoj këtë. Mendoj se është gjë e mirë që njerëzit nga të gjitha komunitetet e ndryshme të vendit po votojnë sot. Sigurisht, në zgjedhjet e fundit lokale ata nuk morën pjesë, prandaj është shumë e rëndësishme që këtë herë kanë votuar. Do t’i takojë Komisionit Zgjedhor dhe të tjerëve të vlerësojnë nëse janë ndjekur të gjitha procedurat apo jo. Por mendoj se gjëja më e rëndësishme, në thelb, është që njerëzit të votojnë lirshëm për ata që duan t’i përfaqësojnë dhe për ata që mendojnë se mund t’u shërbejnë më mirë si individë në komunitetet e tyre,” tha Hargreaves.
Këtë deklaratë ai e bëri gjatë vizitës në komunën e Drenasit, ku ka vëzhguar procesin e votimit në qendrën “Rasim Kiçina”.
