Ambasadori britanik viziton KQZ-në, falënderon institucionet e angazhuara në procesin zgjedhor

Prishtinë | 07 Qer 2026 | 11:07 | Nga Ekonomia Online

Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë ka njoftuar se ditën e zgjedhjeve e ka nisur me një vizitë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, ku është takuar me kryetarin e KQZ-së, Kreshnik Radoniqi.

Përmes një postimi, ambasadori tha se e ka falënderuar Radoniqin dhe ekipin e tij për punën e bërë në ciklin e kaluar zgjedhor, duke vlerësuar angazhimin e institucioneve për mbarëvajtjen e procesit të sotëm zgjedhor.

“E nisa ditën duke vizituar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve në Prishtinë për t’u takuar me kryetarin e KQZ-së, Kreshnik Radoniqi. E falënderova atë dhe ekipin e tij për punën e shkëlqyer që kanë bërë në ciklin e kaluar zgjedhor”, ka shkruar ambasadori.

Ai bëri të ditur se gjatë vizitës është takuar edhe me ekipin e teknologjisë informative, prokurorin kujdestar dhe koordinatorin e Policisë së Kosovës, të cilët janë të angazhuar në monitorimin dhe mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.

“U takova me ekipin e IT-së, prokurorin kujdestar dhe koordinatorin e Policisë së Kosovës. I falënderova ata për përpjekjet e ekipeve të tyre që zgjedhjet e sotme të zhvillohen pa probleme”, tha ai.

Ambasadori britanik theksoi se një numër i madh njerëzish po punojnë pa u ndalur prapa skenës për të garantuar një proces demokratik të qetë dhe efikas, ndërsa u bëri thirrje qytetarëve të Kosovës të shfrytëzojnë të drejtën e votës.

“Ka kaq shumë njerëz që po punojnë pa u lodhur prapa skenës sot për të siguruar një proces demokratik të qetë dhe efikas. Tani u takon qytetarëve të Kosovës të dalin dhe të votojnë”, ka përfunduar ambasadori në postimin e tij.

Të ngjashme