Ambasadori britanik vlerëson rolin e Gjykatës Supreme në garantimin e mbarëvajtjes së proceseve zgjedhore

Prishtinë | 17 Dhj 2025 | 12:13 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Gjykatës Supreme të Kosovës, Fejzullah Rexhepi ka pritur sot në takim, Ambasadorin e Britanisë së Madhe në Kosovë, Jonathan Hargreaves, me të cilin ka diskutuar lidhur me mbarëvajtjen e procesit zgjedhor dhe rolin e Gjykatës Supreme në këtë proces.

Kryetari Rexhepi e njoftoi ambasadorin me rolin e Gjykatës Supreme në proceset zgjedhore, duke bërë me dije se të gjitha ankesat administrative të ushtruara kundër vendimeve të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), për zgjedhjet e fundit lokale, janë trajtuar dhe vendosur brenda afateve ligjore. Në këtë mënyrë është garantuar trajtimi i barabartë i të gjithë ankuesve. Po ashtu, të gjitha vendimet janë publikuar në ueb-faqen zyrtare të Gjykatës Supreme, duke reflektuar transparencë të plotë institucionale.

Kreu i Supremes shprehu bindjen se edhe në Zgjedhjet e Parakohshme Nacionale të 28 dhjetorit, do të ketë një proces të drejtë dhe demokratik, për të cilin po kontribuon edhe Gjykata Supreme, përmes vendosjes së drejtë dhe trajtimit me kohë të ankesave.

Ambasadori Hargreaves, duke vlerësuar rolin e Gjykatës Supreme në këtë proces, e falënderoi kryetarin për punën dhe ritheksoi mbështetjen e Britanisë së Madhe për  Gjykatën Supreme dhe gjithë sistemin gjyqësor.

Bashkëbiseduesit diskutuan edhe për iniciativat për trajnime dhe shkëmbim përvojash, përfshirë bashkëpunimin me partnerë ndërkombëtarë.

Të ngjashme