Ambasadori amerikan në Gjermani, Richard Grenell, njëherit edhe i ngarkuar nga Presidenti amerikan Donald Trump për dialogun Kosovë-Serbi, ka falënderuar Presidentin e Serbisë Aleksandër Vuçiq për kontributin e tij për synimin e hapjes së linjës ajrore Prishtinë-Beograd.
Grenell ka shkruar në Twitter ku ka falënderuar Vuçiqin për këtë hap.
“Faleminderit ty, zoti President. Ne jemi mirënjohës për përkushtimin dhe miqësinë tuaj”, ka shkruar Grenell në profilin e tij zyrtar në Twitter.
Dje në Berlin në një ceremoni në Ambasadën amerikane në Berlin, në prezencën e ambasadorit Richard Grenell u njoftua se aviokompania Lufthansa do ta hapë linjën ajrore Prishtinë-Beograd.
Në këtë ceremoni përfaqësuesit e kompanisë Lufthansa ia kanë dorëzuar Autoritetit të Aviacionit Civil të Kosovës letrën me të cilën i njoftojnë autoritetet e Kosovës për këtë synim dhe kërkojnë që institucionet e Kosovës t’u ofrojnë përkrahjen e nevojshme si për fluturimet tjera.
Edhe Presidenti i ShBA-së, Donald Trump, ka reaguar me tone triumfaliste për atë që Kosova dhe Serbia janë dakorduar në Berlin.
“Secili thoshte se kjo nuk mund të bëhet. Por për herë të parë pas shumë vitesh do të këtë fluturime direkte ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. Një fitore tjetër”, ka shkruar Trump, duke i falënderuar bashkëpunëtorët e tij Robert O’ Brien dhe ambasadorin Richard Grenell.