Ambasadori Hill: Serbia nuk e ka shkelur marrëveshjen e Ohrit

Prishtinë | 19 Nën 2024 | 20:44 | Nga Ekonomia Online

Ambasadori Amerikan i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Serbi, Christopher Hill nuk është pajtuar me faktin se Serbia ka shkelur Marrëveshjen e Brukselit dhe aneksin e Ohrit.

Të martën ai tha se është një situatë komplekse dhe se përfshinë detyrime për të dyja palët.

“Nuk jam i sigurt nëse do të pajtohesha me karakterizimin tënd të çështjes. Mendoj që është shumë më komplekse dhe çfarë unë di është se duhet të lëvizim drejt normalizimit dhe propozimeve të ndryshme që z. Lajçak ka ekspozuar  dhe mendoj që ato duhet të ndiqen. Mendoj që duhet të kuptosh se ky është një proces kompleks që përfshinë detyrime për të dyja palët që duhet sekuencuar”, tha ambasadori.

Ambasadori amerikan në Beograd ka shtuar se duhet mbështetur Bashkimi Evropian që po bën përpjekje për të gjetur zgjidhje dhe shtyrë përpara procesin e dialogut.

“Mendoj që z. Lajçak ka vendosur një numër të propozimeve shumë pozitive, janë thënë apo bërë një numër i çështjeve përfshirë nevojën për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe. Mendoj që gjërat që janë bërë pikërisht përmes dakordimit të Ohrit ato duhet që të implementohen dhe të kryhen me sekuencimi që duhet të synohet”, u shpreh Hill.

Hill thotë që përgjatë kësaj kohe palët kanë humbur çaste të rëndësishme për arsye po ashtu të rëndësishme por që konsideron se duhet kthyer në rrugën e duhur.

Ambasadori rezident në Serbi thekson se normalizimi nuk arrihet menjëherë.

“Mendoj që të gjithë janë në favor të përkrahjes dialogun e Bashkimit Evropian dhe është shumë e rëndësishme që të ecet me këto procese përpara dhe të krijohen kushtet për normalizimin e marrëdhënieve por qartazi që ka shumë punë që duhet bërë por është diçka që do të arrijë këtë administratë dhe administratën tjetër se nuk do të kryhet menjëherë. Kështu që ka nevojë të bëhet shumë punë në drejtim që të arrihet deri te faza e marrëdhënieve të normalizuara mes Serbisë dhe Kosovës”, tha më tej ambasadori Christopher Hill.

Kosova dhe Serbia në shkurt të vitit 2023 kanë arritur një marrëveshje në Bruksel për normalizim të marrëdhënieve, po ashtu një udhëzues për zbatimin e saj në mars të po të njëjtit vit në Ohër.

Deri tani palët nuk kanë zbatuar detyrimet e dala nga marrëveshja.

Të ngjashme