Kreu i ekzekutivit, Albin Kurti gjatë ditës së sotme ka thënë para gazetarëve ambasadori Jetish Jashari t’i vizitoj tre policët patrullues kufitar të arrestuar më 14 qershor nga forcat serbe në fshatin Bare në veri, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
Kryeministri i vendit tha se vizita e Ambasadorit Jashari në burg në Kralevë është menduar për të martën e 20 qershorit.
“Dua të pres fillimisht vizitën e Ambasadorit, Jetish Jashari në burg në Kralevë e vetëm më pas kur t’i kem të dhënat nga kjo vizitë të policëve tanë që po mbahen peng, që po mbahen rob në Serbi si hakmarrje për luftimin e krimit të organizuar, do ta marrë vendimin dhe do ta jap njoftimin për këtë”, tha fillimisht Kurti.
Lidhur me vizitën e tre policëve, Kurti tha se ajo është menduar ditën e nesërme, teksa theksoi se do të jetë në kontakt me ambasadorin “për gjendjen e këtyre tre policëve që po mbahen peng e rob në Serbi”.
“Vizita është menduar me sa kam informacione deri në këto momente, për ditën e nesërmen, do të jem në kontakt me ambasadorin tonë për gjendjen e këtyre tre policëve që po mbahen peng, rob ne Serbi”, tha Kurti.
Por, sa i përket lirimit të tre policëve patrullues kufitar të Kosovës, Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq gjatë një konference për media ditën e djeshme, ka thënë se tre policët nuk janë prekur dhe nuk ju mungon asgjë, por nuk ka dhënë shenja për lirimin e tyre, pasi siç tha ai me ta do merren organet e drejtësisë.
Në anën tjetër, Departamenti i Shtetit Amerikan i ka bërë thirrje për herë të dytë presidentit Vuçiq për lirimin e menjëhershëm të tre policëve, dhe pa kushte.
Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Matthew Miller tha në një deklaratë se “arrestimi dhe ndalimi i tyre me akuza të pabaza, ka përkeqësuar një situatë tashmë të tensionuar”.
“I bëjmë thirrje presidentit Vuçiq dhe qeverisë së Serbisë që menjëherë dhe pa kushte të lirojnë tre policët e Kosovës të arrestuar më 14 qershor. Arrestimi dhe ndalimi i tyre i vazhdueshëm për akuza të pabaza ka përkeqësuar një situatë tashmë të tensionuar”, thuhet në deklaratë.
Kërkesë për lirim të pakushtëzuar të zyrtarëve policorë kosovarë kërkoi dje edhe ministrja e Jashtme e Gjermanisë.
Dy vendet duhet “të bëjnë menjëherë gjithçka që munden për të qetësuar këtë situatë të pasigurt”, tha Annalena Baerbock në Berlin të premten përpara një takimi me homologun e saj nga Bosnje-Hercegovina, Elmedin Konakoviq. Si “një nga hapat e parë” drejt qetësimit të situatës, Baerbock i bëri thirrje Serbisë që “pa kushte” të lirojë tre policët kosovarë të kidnapuar nga autoritetet serbe.
Lirim të menjëhershëm të tre policëve të Kosovës të kidnapuar më 14 qershor, Serbisë i ka kërkuar edhe Britania e Madhe.
“Ne bëjmë thirrje për lirimin e menjëhershëm të tre policëve të Kosovës të ndaluar më 14 qershor”, tha gjatë ditës së djeshme qeveria britanike.
E njëjta kërkoi që Kosova e Serbia të shmangin veprimet e njëanshme, të kenë përmbajtje maksimale dhe të ndërmarrin veprime të menjëhershme për t’i ulur tensionet.
“Ne përsërisim thirrjet tona për kryeministrin Kurti dhe qeverinë e tij që të sigurojnë që kryetarët e zgjedhur të komunave të kryejnë detyrat e tyre kalimtare nga lokacione alternative që njësitë speciale të policisë të tërhiqen nga ndërtesat komunale”, thuhet në reagimin e qeverisë britanike.
Të premten e 16 qershorit, Gjykata e Lartë në Kralevë ua ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh tre zyrtarëve policorë të Kosovës të cilët u rrëmbyen ditë më parë brenda territorit të Kosovës.