Ambasadori rus: Vuçiqi më informoi se Perëndimi qëndron pas trazirave në Beograd

Prishtinë | 26 Dhj 2023 | 10:21 | Nga Ekonomia Online

Ambasadori rus në Beograd, Aleksandr Botsan-Kharchenko, ka deklaruar se presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq e ka informuar atë se Perëndimi është ai që qëndron pas trazirave në Beograd.

“Opozita filloi protestat, të cilat ne i mbështetëm nga jashtë. Vuçiq ka folur për këtë, nuk mund të zbuloj asnjë detaj, është informacion konfidencial. Por ai ka informacione të pamohueshme se Perëndimi po nxit trazirat në Serbi”, ka deklaruar ai për kanalin televiziv Russia-24, pas takimit të tij me presidentin serb të hënën, raporton N1.

Vuçiq në një postim në Instagram më herët të hënën ka shrkruar se e ka informuar ambasadorin rus për trazirat e mbrëmjes së të dielës në Beograd.

Po ashtu, ai ka përsëritur se autoritetet do të bëjnë gjithçka për të mbrojtur sigurinë e qytetarëve dhe Serbisë.

Protestat në Beograd

Protesta e 24 dhjetorit nisi para selisë së Komisionit Republikan Zgjedhor, ku mijëra qytetarë u mblodhën me ftesë të koalicionit opozitar, “Serbia kundër dhunës”, që nuk njeh rezultatet e zgjedhjeve të 17 dhjetorit, pasi sipas opozitës, Partia Progresive Serbe (SNS) në pushtet ka fituar zgjedhjet përmes mashtrimeve zgjedhore.

Kërkesa për anulimin e zgjedhjeve në të gjitha nivelet po kërkohet për shkak të, siç është thënë, “pengimit të vullnetit të qytetarëve”.

“Këto zgjedhje po anulohen”, ka thënë Marinika Tepiq, udhëheqëse e listës “Serbia kundër dhunës”, e cila gjendet në grevë urie që nga 18 dhjetori, në shenjë proteste me rezultatet zgjedhore.

Më shumë se 30 demonstrues janë arrestuar gjatë protestës së koalicionit opozitar “Serbia kundër dhunës” më 24 dhjetor në Beograd.

Gjatë protestës, një grup personash të maskuar kanë tentuar të hyjnë në Kuvendin e Beogradit, kanë thyer xhamat dhe dyert, ndërsa policia brenda ndërtesës ka hedhur gaz lotsjellës ndaj tyre.

Kjo ishte protesta e shtatë e opozitës në kryeqytetin e Serbisë me kërkesën për anulimin e zgjedhjeve të mbajtura më 17 dhjetor. Lista “Serbia kundër dhunës” pretendon se Partia Progresive Serbe (SNS) në pushtet vodhi zgjedhjet, ndër të tjera, duke regjistruar në mënyrë fiktive votuesit e tyre nga vende jashtë Serbisë.

Të ngjashme