Ambasadori i Suedisë në Kosovë, Jonas Westerlund ka mirëpritur liberalizimin e vizave për shtetasit e Kosovës.
Ambasadori Westerlund përmes një postimi në Twitter ka shkruar se nesër pritet të bëhet edhe nënshkrimi i vendimit për liberalizimin e vizave, transmeton Telegrafi.
“Më në fund! Presidenca suedeze e BE-së dhe Parlamenti Evropian nesër pritet të nënshkruajnë vendimin për liberalizimin e vizave për Kosovën”, ka thënë ai.
Ndryshe, miratimi i liberalizimit të vizave për Kosovën nga Parlamenti Evropian u bë sot, pa asnjë kundërshtim. Kryetarja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola tha se nuk ka marrë asnjë propozim për të refuzuar qëndrimin e Këshillit të BE-së për liberalizimin e vizave.
Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi të mërkurën do të udhëtojë drejt Strasburgut, ku do të marrë pjesë në ceremoninë e nënshkrimit të vendimit për heqjen e vizave.