Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, njëherësh përfaqësues Special i BE-së, Tomáš Szunyog, ka vizituar Qendrën për Mirëqenien e Gruas në Pejë, e cila aktualisht strehon rreth 100 gra që kanë përjetuar dhunë në familje.
Ambasadori Szunyog, i cili në këtë vizitë shoqërohej dhe nga shefja e Zyrës së UN Women në Kosovë, Vlora Nushi, tha se është i impresionuar me punën e kësaj qendre dhe ka premtuar mbështetje.
Drejtoresha Ardita Bala ka shpjeguar se Qendra për Mirëqenien e Gruas (QMG) funksionon si një organizatë joqeveritare që nga viti 2001, dhe prej atëherë është bërë vend-strehim për mijëra gra dhe fëmijë që kanë përjetuar dhunë në familje në rajonin e Pejës. Ajo ka theksuar se QMG ofron mbështetje dhe shërbime për strehim dhe edukim, avokim dhe udhëheqje për të formësuar një të ardhme pa dhunë për gratë dhe fëmijët.
“Ne bashkëpunojmë me institucione të ndryshme për t’iu ofruar grave dhe fëmijëve shërbime kualitative dhe pa pagesë”, tha Bala, raporton Ekonomia Online.
QMG është financuar nga BE-ja përmes projektit për Asistencë Humanitare, i cili implementohet nga Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara (UNDP) dhe UN Women. Dhe qëllimi i vizitës së Szunyog, së bashku me shefen e Zyrës së UN Women në Kosovë, Vlora Nushi, ishte që të njoftohen nga afër me kushtet dhe sfidat që ka kjo qendër.
Qendra është ndihmuar rregullisht dhe nga Qeveria e Kosovës. Por drejtoresha Bala i është ankuar ambasadorit Szunyog se fondet iu janë ndalur qe dy vjet. Tha se kanë premtime se ndihma do të vazhdojë, por e zvogëluar.
“Kemi pasur 5 000 euro për muaj nga qeveritë paraprake. Tani jemi të zhgënjyer, sepse tash e dy vjet nuk kemi fonde nga qeveria, por që nga ky muaj na janë premtuar 4 000 euro, të cilat nuk janë të mjaftueshme për ne”.
“Mundohemi që fondet të cilat i marrim t’i shpërndajmë në mënyrë të barabartë për të gjitha gratë që i kemi. Momentalisht janë rreth 100 gra”.
Shefi i Zyrës së BE-së, Szunyog, tha se është i impresionuar me punën e kësaj qendre. Për më tepër ai theksoi se: “Do të mundohem t’i adresoj këto çështje përmes dialogut që kemi me institucionet e Kosovës në mënyrë që të arrihet deri tek zgjidhja e duhur”.
Sipas statistikave të Policisë së Kosovës në rajonin e Pejës, vetëm gjatë vitit 2021 në Stacionin e Pejës, janë iniciuar 180 raste të cilësuara si “Dhunë në Familje”; në 136 raste viktimat janë të gjinisë femërore.
Vizita është pjesë e fushatës “Për ju. Me ju”, e cila synon të informojë qytetarët mbi mbështetjen që BE jep me projektet të ndryshme në të gjithë sektorët.