ATRC në bashkëpunim me CSGD kanë organizuar tryezën e diskutimit për shpalosjen e hulumtimit mbi gjuhën e urrejtjes në mediet kosovare. Carin Lobbezoo, ambasadore e Holandës në Kosovë, tha se ndjehet krenare që po mbështet një projekt të kësaj tematike, raporton Ekonomia Online
“Ambasada e Holandës ndjehet krenare që po mbështet një projekt të këtij lloji për luftimin e urrejtjes në Kosovë. Arsyeja që i suportojmë këto projekte është sepse i respektojmë së pari të drejtat e njeriut, lirinë e medias dhe shuarjen e paqëndrueshmërisë”, tha Lobbezoo.
Tutje ajo tha se tema kryesore është se si të ndërtohet një shoqëri paqësore, dhe që trajtimi i gjuhës së urrejtjes të jetë çelës kryesor i një shoqërie.
“Tema jonë kryesore ka qenë se si të ndërtojmë një shoqëri gjithëpërfshirëse, të larmishme dhe paqësore. Trajtimi i gjuhës së urrejtjes në diskursin publik është çelësi i arritjes së një shoqërie të tillë. Për të punuar në këtë drejtim, së pari duhet ta dini se ç’do të thotë gjuha e urrejtjes, sa shpesh përdoret dhe çfarë po thuhet për njerëzit e “tjerë”. Të kesh të dhëna të qarta është hapi i parë. Raporti do të rrisë ndërgjegjësimin e qytetarëve por, më e rëndësishmja, ai ilustron se fjalët kanë rëndësi”.
Duke e zgjedhur problemin e gjuhës së urrejtjes, parandalohet edhe diçka tjetër, sepse fjalët kthehen në krime të urrejtjes ndaj minoriteteve, që kanë etnicitet tjetër, gjini tjetër, besim fetar apo orientim seksual tjetër’, theksoi tutje ajo.
Valon Jonuzi tha se përzgjedhja e këtij programi ka nisur me një përkufizim gjithëpërfshirës e që bazë ka gjuhën e urrejtjes, e që sipas tij përfshin të gjitha format e shprehjes që nxisin urrejtjen racore.
“Fillimisht e kemi përzgjedhur përkufizimin më gjithëpërfshirës për gjuhën e urrejtjes. Ekziston një numër i madh i përkufizimeve, mirëpo ne e kemi marrë atë të vitit 1997 të Këshillit të Evropës. Definicioni që e kemi përdor për këtë raport e definon gjuhën e urrejtjes si gjuhë e cila përfshin të gjitha format e shprehjes të cilat shpërndajnë, nxisin, promovojnë ose justifikojnë urrejtjen racore, ksenofobinë, antisemitizmin dhe format e tjera të urrejtjes që bazohen në intolerancë përfshirë intolerancën e shprehur përmes nacionalizmit agresiv, etnocentrizmit, diskriminimit dhe armiqësisë ndaj minoriteteve”, tha Jonuzi.
Tutje ai tha se nga gjitha materialet tekstuale dhe të portaleve që janë analizuar, nga 2512 artikuj 453 kanë gjuhë problematike.
“Nga materialet tekstuale apo të portaleve që janë analizuar, nga 2512 artikuj 453 kanë gjuhë problematike, 314 kanë gjuhë të urrejtjes. Nga materialet audio-vizive apo nga emisionet e analizuara, emisione me gjuhë problematike kanë qenë 12, ndërsa me gjuhe të urrejtjes kanë qenë tetë”, theksoi tutje ai.
Në anën tjetër, Kushtrim Kaloshi nga ATRC në kuadër të këtij aktiviteti tha se ky aktivitet është një prej aktiviteteve mjaftë të rëndësishme, ku synimi kryesor është analiza dhe hulumtimi i gjuhës së urrejtjes nëpër media të shkruara dhe elektronike.
“Ky aktivitet është një prej aktiviteteve të planifikuara, të parapara por edhe të zbatuara në kuadër të programit që e ka zbatuar ATRC, tashmë dy vite dhe që është mbështetur nga ambasada holandeze dhe që kemi synuar që të bëjmë një analizë dhe hulumtim të thellë të gjuhës së urrejtjes që përdoret në media të shkruara dhe elektronike dhe të shihet se si po reflektohet kjo gjuhë në media”, tha Kaloshi.
Mes tjerash Kaloshi tha se mediat elektronike por edhe ato të shkruara nuk janë shumë të kujdesshme në përdorimin e gjuhës së shkruar por edhe asaj të thënë, dhe se shumë shpesh ngjallin urrejtje.
“Në jemi dëshmitar që shumë prej nesh se jo shpesh mediat elektronike dhe ato të shkruara nuk janë shumë të kujdesshme në përdorimin e gjuhës së shkruar dhe të thënë, ku shpesh gjuha e tyre është nxitëse dhe shfaq urrejtje, andaj ne kemi synuar që përmes analizave të kontribuojmë në këtë drejtim, ku një dokument do të na ndihmonte ti shohim se cila media po ngjall gjuhë të urrejtjes dhe të vetëdisohet publiku se sa efekte negative shfaq kjo dukuri”, theksoi tutje Kaloshi.