Olimpistët e sporteve dimërore zakonisht nuk shërbejnë si inspirim për një surfist, por amerikani Conner Coffin, që synon të fitojë një nga medaljet e para olimpike në sportin e tij, nuk është një garues i zakonshëm.
Me sytë te medaljet e para olimpike në surfim, Conner Coffin ka kërkuar inspirimin për Lojërat Olimpike në borë dhe akull, e jo në plazhet me rërë, shkruan sot Koha Ditore.
“Prindërit e mi gjithmonë i shikonin Lojërat Olimpike kur mbaheshin dhe unë gjithmonë kam adhuruar snoubordin, disiplinën e lëshimit në skijim alpin, por edhe patinazhin.
Më dukeshin këto si surfim në një mënyrë”, thotë Coffin 25-vjeçar. “Së fundi e pashë Red Gerardin (SHBA) që fitoi medaljen olimpike në Pyeongchang vitin e kaluar në snoubord, si autsajder dhe ishte vërtet performancë inspiruese e argëtuese nga ai. Herën tjetër ndoshta një performancë të tillë mund ta tregoj unë”. Surfimi do të debutojë si sport në Lojërat Olimpike vitin e ardhshëm.
Dhe duke shpresuar të kualifikohet në “Tokio 2020”, Coffin ka kthyer sytë te një olimpiste dimërore, ish-skitarja alpine Julia Mancuso.
Olimpistja e katërfishtë, që tashmë është pensionuar, kishte fituar medaljen e artë në lojërat olimpike dimërore “Torino 2006”.
Ajo është e martuar me një nga shokët e Coffinit dhe i ka dhënë këshilla se si të futet në skenën olimpike.