Mbrojtësi i Përfaqësueses së Kosovës, Amir Rrahmani ka udhëtuar drejt Napolit për të kryer testet mjekësore para marrëveshjes së transferimit.
Javëve të fundit është përfolur për një transferim befasues të Rrahmanit te Napoli.
Vetëm disa ditë më vonë një gjë e tillë u konfirmua pasi klubi nga San Paolo arriti ta fitojë garën për shërbimet e tij.
Sot (e premte) në mëngjes, Rrahmani ka arritur në Villa Stuart për të kryer testet e zakonshme mjekësore para nënshkrimit të kontratës me klubin e madh.
Kështu, Amir Rrahmani është gati të vesh fanellën e Napolit (nga sezoni i ardhshëm), pasi marrëveshja është që mbrojtësi kosovar të mbetet te Hellas Verona deri në fund të sezonit aktual.
Transferimi i Rrahmanit thuhet se do t’i kushtojë 14 milionë euro Napolit, ndërsa për lojtarin është një kontratë pesë-vjeçare prej 1.5 milion eurosh plus bonuse që mund të arrijnë deri në 1.8 milionë euro në sezon.
Për kapitenin e Kosovës interesim kishte shprehur edhe Interi.