Xhemaili pritet ta mbyllë karrierën në Kinë

Prishtinë | 24 Jan 2020 | 10:42 | Nga Ekonomia Online

Blerim Xhemaili do të largohet nga Serie A për të vazhduar karrierën në Kinë, ku edhe pritet ta përfundojë, ka njoftuar të enjten sajti italian “Calciomercato”. Mësohet se Xhemaili tashmë ka arritur marrëveshje me ekipin Shenzen FC, i cili në edicionin që nis muajin e ardhshëm do të bëjë gara në kategorinë e dytë të Kinës.

Mesfushori 33-vjeçar është pajtuar me kontratë trevjeçare dhe pagë prej tre milionë eurosh në vit për t’u transferuar te Shenzeni, me kërkesën e trajnerit italian Roberto Donadoni, që do të jetë në krye të ekipit kinez. Bologna është e gatshme ta lërë të lirë Xhemailin për dëmshpërblim prej një milion eurosh. Mesfushori ka kontratë deri në fund të këtij edicioni, shkruan sot Koha Ditore.

“Bologna po bëhet gati për lamtumirën e Xhemailit, i cili do të vazhdojë karrierën në Kinë te skuadra e Shenzenit. Te Bologna janë pajtuar për ta lënë të lirë Xhemailin, që tashmë ka arritur marrëveshje me ekipin që drejtohet nga trajneri Roberto Donadoni”, ka shkruar sajti italian.

Transferimi i Xhemailit në Kinë pritet të zyrtarizohet deri në fund të këtij muaji. Te Bologna kanë konfirmuar se futbollisti ka kërkuar largimin. Xhemaili këtë edicion ka shënuar një gol dhe ka bërë një asistim në 14 paraqitje në Serie A. Ai është pjesë e ekipit, ku është edhe kapiten, prej muajit janar të vitit 2018, kur u transferua nga Montreal Impact.

“Xhemaili nëpërmjet agjentit të tij ka kërkuar të largohet gjatë këtij muaji nga klubi. Ne vetëm po presim ofertën zyrtare për Xhemailin që po punon në marrëveshjen e tij me klubin e ardhshëm”, është shprehur drejtori sportiv i Bolognas, Riccardo Bigon.

Xhemaili karrierën e ka nisur në vitin 2003 te Zuerichu, kurse ka qenë edhe pjesë e skuadrave si Bolton, Torino, Parma, Napoli, Galatasaray e Genoa. Ka edhe 69 ndeshje e 11 gola të shënuar me Përfaqësuesen e Zvicrës.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme