Mbi 7,000 njerëz janë arrestuar në Iran në vitin 2018, tha organizata ndërkombëtare për të drejtet e njeriut Amnesty International.
Ajo e cilësoi 2018-ën si “vit të turpit” në Iran.
Në raportin e publikuar të enjten, Amnesty tha se në mesin e të arrestuarve ka protestues, studentë, gazetarë, aktivistë të mjedisit, punëtorë dhe mbrojtës të të drejtave të njeriut.
“Rreth 50 nga të arrestuarit kanë qenë punonjës në media”, thuhet në raport.
“2018-ta do të futet në histori si vit i turpit për Iranin”, tha Philip Luther, hulumtues për Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut pranë organizatës Amnesty International.
“Autoritetet e Iranit kanë bërë përpjekje të shuajnë çdo shenjë mospajtimi duke rritur goditjen e tyre ndaj së drejtës për liri të shprehjes”, tha ai.
Të mërkurën, një gjykatë në Iran e dënoi gazetarin Yashar Soltani me pesë vjet burgim.
Sipas agjencisë shtetërore të lajmeve IRNA, Soltani është gjetur fajtor për raportim të rremë.
Në vitet e fundit, ai vazhdimisht ka hetuar korrupsionin në sektorin publik të Iranit.