Irani dënon me vdekje dy persona për fyerje ndaj Profetit Muhamed

Prishtinë | 24 Pri 2021 | 09:46 | Nga Ekonomia Online

Dy iranianë janë dënuar me vdekje për ofendim të Profetit Muhamed, sipas një faqeje të lajmeve në Republikën Islamike.

Agjencia e Lajmeve e Aktivistëve për të Drejtat e Njeriut (HRANA) raportoi se dy burrat e akuzuar ishin arretuar dhe u transferuar në një burg në Arak, kryeqytet i provincës Markazi, në maj të vitit të kaluar.

Në raport thuhet se një gjykatë e këtij qyteti i dënoi dy burrat me dënimin më të rëndë për fyerje ndaj Profetit Muhamed. Kjo akuzë në Iran bart dënim me vdekje, shkruan Free Europe.

Njëri nga të dënuarit u identifikua si Yusef Mehrad, baba i tre fëmijëve, për të cilin raportohet se është mbajtur i izoluar në vetmi për dy muaj pas arrestimit. Ai përballet edhe me disa akuza të tjera, përfshirë ofendimin e liderëve iranian dhe veprat kundër sigurisë kombëtare. I dënuari tjetër nuk është identifikuar.

Në vitin 2017, Irani ia kishte hequr dënimin me vdekje një burri të dënuar për ofendimin e Profetit Muhamed në disa postime në Facebook. Dënimi ishte kundërshtuar nga grupet për të drejtat e njeriut dhe aktivistët.

Sipas raportit të organizatës “Amnesty International”, Irani vitin e kaluar ka ekzekutuar 246 persona, duke mbetur shteti me më së shumti ekzekutime në botë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme