Dëm të madh për Kosovën dhe thyerje e premtimit elektoral, po konsiderohet nga analistët politikë mospërfshirja e dëmeve të luftës në marrëveshjen e propozuar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, shkruan Ekonomia Online.
Sipas tyre, Lëvizja Vetëvendosje sa ishte në opozitë, proklamonte se dëmet e luftës duhet të përfshihen në marrëveshjen finale.
Analisti politik, Bekim Kabashi, ka thënë për Ekonomia Online se premtimi për kompensim të dëmeve, është përdorur shpesh herë për konsum elektoral dhe se nuk është punuar fare në këtë drejtim.
Ai e quan temë problematike dhe e paarritshme për momentin.
Fillimisht, Kabashi e konsideron të nevojshme arritjen e marrëveshjes me njohje, e cila sipas tij i hap rrugë Kosovës në avancimin e statusin të saj ndërkombëtar.
“Ka qenë vetë kryeministri Kurti kur ka qenë në opozitë LVV-ja këtë temë e ka mbajt në nivel të lartë duke kërkuar atëherë negociatorëve kosovarë që mos të bëjnë marrëveshje me Serbin pa kërkuar dëmshpërblim për dëmet e luftës. Edhe atëherë edhe në secilën fazë sa herë është përmendur kjo temë, më shumë ka qenë temë për konsum elektoral, se sa që është besuar që mundet me u nxjerr diçka në këtë proces. Ajo çka ka pas Kosova nevojë dhe vazhdon që të ketë është të ketë një marrëveshje me Serbinë ku aty do të mund ta mbërri njohjen sepse ajo njohje do t’i mundësonte Kosovës që të avanconte statusin e saj ndërkombëtarë. Pra kompensimi i dëmeve të luftës është një temë shumë problematike dhe nuk është se është punuar as një herë në këtë temë, ma shumë ka qenë në konsum të brendshëm elektoral se sa një temë e vërtet me të cilën kanë mëndu politikanë që mund të merren”, ka thënë Kabashi.
Kabashi thotë se shteti serb, kompensim nuk ka bërë as në shtetet tjera që ka pasur konflikt. Njëjtë thotë se do të bëjë edhe e Kosovën, të cilën e konsideron si pjesë të saj.
“Palët kur ulen negociojnë me pretendimin edhe besimin për me e mbërri një marrëveshje, nuk shikojnë nga e kaluara por shikojnë nga e ardhmja. Sepse nëse shikohet shumë nga e kaluara atëherë është problem që të arrihet një marrëveshje një paqe, me u ndërtua e cila do të kontribuonte për të dy shtetet, nuk do të ishin pengesë e njëra-tjetrës për me u avancu. Serbia nuk ka kompensuar dëme të luftës edhe në luftën në Bosnje, Kroaci edhe në vende të tjera, kështu që nuk është që ka qenë e pritshme që do të mund ti kompensoj për Kosovën. Madje ajo Kosovën vazhdon që ta llogarisë pjesë të saj, Kosovën nuk e pranon si shtet”, u shpreh tutje Kabashi.
Mospërfshirje të dëmeve në marrëveshjen finale, nuk pret as analist tjetër politik, Fidan Ukaj. Madje, këtë e quan dëm të madh për Kosovën.
“Në fakt është dëm i madh mos përfshirja e dëmeve të luftës në Kosovë, sepse Serbia ishte agresori dhe dëmet janë të pariparueshme që Serbia i ka bërë në Kosovë. Qoftë në aspektin material por edhe në atë njerëzorë. Ne kemi akoma sot njerëz të pa gjetur dhe për këtë është fajtore sigurisht Serbia. Mos përfshirja e një nga pikat e këtij drafti edhe dëmet e luftës sigurisht se është një dëm i madh dhe nëse mund të them mund të jetë amnisti në heshtje, fatkeqësisht që i është bërë për momentin shtetit Serbë”, ka thënë Ukaj.
Sipas Ukajt, Kosova ka humbur momentumin për ta marrë përfundimisht njohjen dhe dëmshpërblimin nga Serbia.
“Sigurisht që është një momentum shumë i volitshëm që të ishte edhe njohja de-jure brenda këtij plani, për shkak të rënies së ndikimit rus sepse ne urojmë shpejt që të përfundoj lufta në Ukrainë, mirëpo nuk do të ketë një momentum të dytë ku Rusia si aleat i Serbisë të jetë e përqendruar në një konflikt tjetër ose të merret më problem të tjera, ajo ka qenë destruktive dhe do të vazhdoj që të jetë destruktive dhe penguese e rrugës së Kosovës. Po është humbur një momentum i volitshëm, qoftë në kërkimin e njohjes edhe de jure të Kosovës nga ana e Serbisë, mirëpo edhe në kërkimin e vendosjes së njërës nga pikat për dëmshpërblime nga ana e Serbisë rreth dëmeve që i ka shkaktuar në Kosovë”.