Analistët e konsiderojnë më efikase qeverinë më 12 ministri

Prishtinë | 17 Tet 2019 | 20:00 | Nga Ekonomia Online

Njohësit e zhvillimeve politike në vend thonë se nëse qeveria e ardhshme do të ketë vetëm 12 ministri, ashtu edhe siç është paralajmëruar, puna e ekzekutivit do të jetë shumë më efikase.

Nga votat e numëruara deri më tani, Lëvizja Vetëvendosje, del partia më e votuar në zgjedhjet e 6 tetorit në Kosovë. Ky subjekt politik, ka bëre të ditur se “Qeveria Kurti” do të ketë 12 ministri.

Jetmir Bakija nga Demokracia Plus, thotë se numri më i vogël i ministrive do të ndikonte në punën më efikase të qeverisë, ai madje foli edhe për ministritë të cilat mund të shkrihen.

“Pse të kemi Ministrinë e Zhvillimit Rajonal kur kemi Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik e ajo mund të jetë vetëm një departament i saj. Pastaj Ministria për Inovacion. Kjo prapë i takon Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik. Më herët Ministria e Financave dhe Zhvillimit Ekonomik kanë qenë me një dikaster. Pastaj është Ministria e Diasporës. Është e vërtet që kemi një diasporë që kontribuon në zhvillimin ekonomik të vendit tonë, mirëpo nuk ka nevojë për një ministër të veçantë, por ka nevojë për vëmendje të veçantë”, tha për RTV Dukagjinin, Jetmir Bakija.

Në një qeveri me 12 Ministri, Kushtetuta e Kosovës parasheh që dy t’i takojnë komuniteteve.

Profesori universitar Mazllum Baraliu, tregon se si emërohen ministrat e minoriteteve.

“Nëse Qeveria do të ketë vetëm 12 ministri, komunitetit pakicë serb i takon një ministër dhe komuniteteve tjera u takon një ministër tjetër. Nëse Lista Serbe e propozon një kandidatë dhe e miraton qeveria është në rregull, nëse jo, qeveria nuk është e detyruar ta fus me çdo kusht Listën Serbe në koalicion e as ndonjë komunitet tjetër”, deklaroi Mazllum Baraliu, përcjell Telegrafi.

Kandidati i Vetëvendosjes për kryeministër Albin Kurti dhe kandidatja e LDK-së Vjosa Osmani, para zgjedhjeve kanë nënshkrua një dokument për organizatën Demokracia Plus, ku janë zotuar se qeveria e tyre nuk do të ketë më shumë se 15 ministri, dhe se ministritë nuk do të kenë më shumë se 2 zëvendësministra.

https://www.facebook.com/tvdukagjiniofficial/videos/404533743572806/

Të ngjashme