Analistët me mendime të ndryshme për arritjen e marrëveshjes këtë vit, shohin më shumë presion ndaj Kosovës

Prishtinë | 28 Maj 2023 | 08:05 | Nga Hasan Hoti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Analistët politikë kanë mendime të ndryshme sa i përket mundësisë së arritjes së marrëveshjes finale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Analisti politikë, Bekim Kabashi, është optimist se marrëveshja arrihet deri në fund të vitit, përderisa Shemsi Jashari e mendon të kundërtën. Ai i merr për bazë deklarimet e kryeparlamentarit, Glauk Konjufca.

Për arritjen e marrëveshjes këtë vit, Bekim Kabashi thotë se dinamika e dialogut është duke shkuar drejt fundit.

Ai thotë se pala kosovare në dialog ka më shumë presion, pas kërkesës së vazhdueshme të ndërkombëtarëve për ta themeluar Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Kabashi thotë se marrëveshja është arritur, veçse kërkon implementim të plotë.

“Bashkësia ndërkombëtare e ka përcaktuar një dinamikë të arritjes së marrëveshjes dhe ajo është brenda këtij viti, pra më së largu deri në fund të këtij viti kërkohet nga palët që të ketë një marrëveshje. Pra marrëveshja veç është arrit por implementimi i marrëveshjes përcakton nëse ajo është plotësuar apo jo. Në këtë rast presioni është më shumë te pala kosovare për faktin se pala kosovare e ka tërheq presionin duke mos e pranuar procedimin e themelimit të Asociacionit. Dihet se nga fillimi kur ka filluar ky proces i dialogut, bashkësia ndërkombëtare ekskluzivisht SHB-ja i kanë kërkuar Kosovës që me përmbush një obligim që e ka pasur nga marrëveshjet 2013-2015, dhe ajo pavarësisht se është kundërshtuar edhe në marrëveshjen e Ohrit është brenda saj dhe Kosova obligohet në tri marrëveshjet 2013, 2015 dhe 2023. Presioni te Serbia ekziston por vet fakti që Kosova po ngec në hapa të saj, e bën të pamundur që i njëjti presion të alokohet në masë të njëjtë edhe te Serbia”, thotë Kabashi.

Javët në vazhdim, Kabashi e sheh përcaktuese për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

“Nëse e vëzhgojmë situatën në procesin e dialogut, atëherë na bën optimist për faktin sepse është shkuar sipas agjendës, pavarësisht mospajtimeve e kundërshtimeve të palëve. Palët janë ulur dhe kanë arritur marrëveshje. E kemi marrëveshjen e Brukselit dhe të Ohrit, pastaj janë ndjekur afatet e takimeve në Bruksel, marrëveshjen për të pagjeturit dhe hapja e temës së Asociacionit pavarësisht se nuk e kemi një draft i cili i ka përafrua palët, por Asociacioni ka filluar të diskutohet dhe mendoj që javëve në vazhdim do të kemi një qartësi më të madhe rreth kësaj teme”, thotë Kabashi.

Ndërsa analisti politik, Shemsi Jashari, këtë vit nuk sheh përfundim të këtij procesi. Ai sheh më shumë presion të ndërkombëtare karshi Kosovës.

“Nëse i shohim lëvizjet e fundit të diplomacisë evropiane por edhe amerikane e vizitat e shpeshta në Qeverinë e Kosovës dhe deklarimet nga distanca, mund të shihet një lloj presioni që i bëhet Qeverisë së Kosovës për të ecur përpara në zbatimin e atyre marrëveshjeve, sidomos Asociacionit. Në anën tjetër kur i shohim deklarimet e zyrtarëve të Kosovës e sidomos të kryeparlamentarit, nuk mund të kemi këtë vit një përmbyllje të procesit të negociatave Kosovë-Serbi”, thotë Jashari, teksa tregon edhe për gabimin që e ka bërë Kosova në këtë proces.

“Ajo që dihet është se insistimi i partnerëve tanë është që me çdo kusht të shkohet drejt themelimit të Asociacionit. Unë mendoj që Kosova ka bërë një gabim në hapa kur ka lejuar që një komision i formuar nga vetë Qeveria e Kosovës ta ndërtojë një draft-status, i cili nuk i është prezantuar Qeverisë së Kosovës, kështu që duke e dorëzuar drejtpërdrejt në Bruksel, e ka krijuar një bazë të startit prej ku do të fillojë negocimi rreth asaj se si do të ndërtohet Asociacioni, kanë shkuar me kërkesa maksimale”, u shpreh Jashari.

Të ngjashme