Kohëve të fundit, të shumta kanë qenë arrestimet për keqpërdorim me subvencione, ekspertët konsiderojnë se puna e Prokurorisë apo e Policisë nuk matet se sa persona janë arrestuar, por sa prej tyre janë dënuar, raporton Ekonomia Online.
Sipas tyre, arrestime ka pasur edhe në të kaluarën por nëse ato nuk përfundojnë me aktgjykime dënuese mund të konsiderohen si përsëritje të rasteve.
Ish-drejtori i Agjencisë Kundër Korrupsion, Hasan Preteni në një intervistë për Ekonomia Online tha se arrestime ka pasur edhe më herët, por që nga pas lufta por askush nga zyrtarët e lartë nuk ka përfunduar në burg.
Ai thekson se rezultati i arrestimeve matet vetëm në bazë të sukseseve e jo në bazë të veprimeve individuale.
“Ka pasur arrestime edhe në të kaluarën, por fatkeqësisht qe 20 vite ose sa vite jemi në liri edhe sa vite shtet, nuk është askush pas grilave dikush prej zyrtarëve të lartë që ka keqpërdorë me pasurinë. Nuk ka as konfiskime të tilla. Mendoj që është mirë këto veprime që i merr policia, në koordinim me prokuroritë, të shikojmë se si po shkojnë procedurat, të mos bien në harresë, të mos bien vetëm për qëllime një ditore, javore ose politike. Fundi, fundit nuk matet puna e prokurorisë se sa persona i kanë arrestuar ose policisë, por sa persona janë dënuar. Kështu që prokurori duhet me bind gjyqtarin që personat të cilat i ka trajtuar, i ka paraburgosur, i mban paraburgim, i ka ndjek penalisht po edhe sa janë dënuar. Rezultati mundet me u mat vetëm në bazë të sukseseve jo në bazë të veprimeve individuale, se kjo është shkalla e parë”.
Preteni thotë se institucionet kryejnë veprime me paratë e publikut, e ato duhet të kontrollohen nga ta.
“Presioni i publikut e bënë të vetën, edhe për veprime të tjera që nuk lidhen me korrupsion po shihet që presioni i publikut po e bënë të vetën. Edhe duhet të ketë, publiku duhet ti kontrolloj institucionet. Institucionet nuk janë nga qielli, ato po e shpenzojnë paranë tonë, janë zotuar që me paratë tona do ta kryejnë misionin që janë zotu. Është mirë që policia po e kryen pjesën e vetë, pastaj prokuroria, por gjithçka matet në fund. Gjatë vitit mund të kemi shumë 5 po në fund të vitit nëse e keni një 1 nuk e kaloni vitin”, tha Preteni.
Ai e konsideron të mangët rezultatin në luftën kundër krimit dhe korrupsionit.
“Konstatojmë me përgjegjësi të plotë se nuk ka. Ka pretendime, ka veprime stihike, të kohë pas kohshme. Por, në kuptimin se edhe lufta kundër korrupsionit nuk është një akt, nuk është një veprim por shumë veprime të shumë institucioneve edhe të gjitha ato duhet të harmonizohen, koordinohen dhe të kryejnë punë ashtu siç duhet”, tha ai.
Edhe Gzim Shala nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), për Ekonomia Online tha se edhe në të kaluarën ka pasur akuza për korrupsion për persona të profilit të lartë, por që asnjë prej tyre nuk është dënuar as edhe për një ditë të vetme. E, Shala thotë se kjo paraqet mungesën e rezultateve konkrete në luftën kundër krimit dhe korrupsionit.
“Fillimisht do të thotë nuk mund ti masim rezultatet në luftimin e krimit dhe korrupsionit vetëm me arrestime, me faza, para penale ose gjatë fazës hetimore. Për shkak se duhet ta kemi parasysh se edhe në të kaluarën ka pasur aksione të shumta dhe po ashtu ka pasur edhe një numër të konsiderueshëm të aktakuzave të cilat janë ngritur ndaj personave të cilët i takojnë profilit të lartë, aktakuza për korrupsion. Mirëpo, deri më tani të gjitha këto aktakuza kanë dështuar në gjykatë, deri më sot nuk është asnjë person i profilit të lartë i cili është dënuar për korrupsion me burgim efektiv, madje as një ditë të vetme. Për këtë arsye ky është ai aspekti kryesor që e paraqet mungesën e rezultateve konkrete në luftën kundër korrupsionit”, tha ai.
“Ndërsa nëse i shohim vetëm kështu si arrestime, këto nuk paraqesin një tabllo reale. Nuk mund të themi se në rastin konkret a janë të bazuara, këto hetime të cilat janë të zhvilluara deri më tani ose jo, nuk mund ta dimë cilësinë e këtyre hetimeve të cilat janë zhvilluar deri më tani e nuk mund edhe ti paragjykojmë. Mirëpo, prapë se prapë në mënyrë që Prokuroria Speciale ta dëshmoj se në rastin konkret kemi të bëjmë me luftë reale kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit të profilit të lartë, definitivisht se këto rast duhet të dëshmohen me aktgjykime meritore dënuese nga Gjykata, përkundrazi kemi thjesht një përsëritje të këtyre raste të cilën përsëritje e kemi parë edhe në vitet e kaluara”, tha Shala për EO.