Njohësi i proceseve zgjedhore, Blerim Burjani, ka thënë të hënën se fushata parazgjedhore për kryetar të Drenasit nuk pritet të përcillet me tensione.
Ai ka thënë se PDK-ja është favorite absolute përballë të tjerave për faktin se buron nga rajoni i Drenicës.
“Pres që fushata parazgjedhore do të kalojë pa tensione. Meqë PDK-ja e ka origjinën nga ky regjion, është favorite absolute përballë të tjerave, të cilat i kanë gjasat më të vogla. Po ashtu, të gjitha gjërat janë rregulluar në taborin e PDK-së që të mos ketë përçarje. Pra, PDK-ja është mobilizuar shumë edhe për shkak të dorëheqjes së ish-kryetarit të mëhershëm, dhe përkrahja po vjen edhe nga Hashim Thaçi e Kadri Veseli, me ç’rast dy fabrika të reja priten të funksionalizohen si rezultat i dërgimit të investitorëve atje”, ka deklaruar Burjani, duke shtuar se PDK-ja është duke bërë përpjekje maksimale për të mos i ikur nga duart Drenasi.
Në këtë kontekst, ai ka thënë se nuk pret të ketë balotazh.
Edhe Albert Krasniqi nga “Demokracia në Veprim” ka thënë se nuk pritet të ketë fushatë të “nxehtë” për mbledhjen e votave në Drenas.
Sipas tij, në tubimet e para është vërejtur një atmosferë e qetë dhe nuk ka pasur shumë përdorim të mjeteve zyrtare për qëllime të fushatës. Megjithatë, Krasniqi ka thënë se vazhdon të mbetet shqetësuese prania e fëmijëve në tubime.
“Fushata ka filluar më herët, pra para afatit zyrtar, dhe kjo po ndodh për shkak të mungesës së kufizimit të ndëshkimit në legjislacionin për fillimin e hershëm të fushatave zgjedhore. Legjislacioni në fuqi nuk e sanksionon dhe nuk e ndëshkon fillimin e fushatës së hershme. Për këtë arsye partitë politike e kanë filluar fushatën shumë më herët, kurse të hënën zyrtarisht ka nisur fushata dhe ne në kuadër të ‘Demokracia në Veprim’ jemi duke e vëzhguar procesin e fushatës zgjedhore. Të pakën në tubimet e para është vërejtur një atmosferë e qetë dhe nuk ka pasur shumë përdorim të mjeteve zyrtare për qëllime të fushatës. Ajo që është vërejtur deri më tani është prania e fëmijëve në tubime. Është e natyrshme që të përfshihen në fushatë edhe autoritetet nga niveli qendror, mirëpo kjo nuk do të thotë se duhet të mbesin anash punët e nivelit qendror dhe vëmendja të përqendrohet në nivel lokal. Prandaj nuk mund të ketë diçka ndryshe, por do të vazhdojë ky trend dhe fryma që e ka përcjellë para fushatën”, ka theksuar Krasniqi. (Epoka e Re)