Infektimi i Trumpit me koronavirus e zhyt fushatën në paqartësi

Prishtinë | 03 Tet 2020 | 08:45 | Nga Ekonomia Online

Pak orë pasi që njoftoi se ka rezultuar pozitiv në testin për COVID-19, Donald Trump e anuloi një udhëtim të planifikuar në Florida për tubim të fushatës dhe bëri të ditur se ai dhe zonja e Parë, Melania Trump, e cila po ashtu rezultoi pozitive, do të hyjnë në izolim.

“Do ta nisim izolimin dhe procesin e shërimit menjëherë”, shkroi Trump në “Twitter”. “Do ta kalojmë këtë gjë SË BASHKU!”, shkruan The Guardian.

Diagnoza për Trumpin premton që ta ndryshojë muajin e fundit të fushatës presidenciale në mënyra thelbësore dhe të papara deri më tani. Tubimet fizike të fushatës, takimet e Trumpit, udhëtimet e pjesëtarëve të stafit dhe gjithçka tjetër është stepur teksa Shtëpia e Bardhë ka nisur gjurmimin e shtrirjes së përhapjes.

Edhe mbajtja e dy ngjarjeve të ardhshme madhore të fushatës, përfshirë dy debatet pasuese presidenciale me sfiduesin demokrat Joe Biden gjatë fundit të këtij muaji, janë vënë po ashtu në dyshim.

Por, përtej të gjitha këtyre çështjeve praktike, shfaqet pyetja nëse Trumpi do të sëmuret, nëse presidenti në detyrë do të jetë në gjendje që ta vazhdojë mbajtjen e postit dhe se si kjo diagnozë për sëmundjen e rrezikshme dhe potencialisht fatale do të ndikojë në qëndrimet e mbështetësve dhe të vetë Trumpit.

Qysh nga fillimi i pandemisë, Trumpi kurrë nuk e ka marrë seriozisht virusin dhe ka refuzuar masat e hershme të mbrojtjes nga virusi, madje bartjen e maskave të fytyrës të rekomanduara nga vetë këshilltarët e tij, transmeton KOHA.

Tani, shpërfillja e tij ndaj virusit mund ta vërë në rrezik pikë së pari shëndetin e tij, e pastaj edhe stabilitetin e SHBA-së dhe shpresën për fitore në zgjedhje. Shumë analistë kanë thënë se presidenti do të gjykohet ashpër, për shkak të krizës që ka krijuar në SHBA.

Ndërkaq, e ardhmja politike e Trumpit do të varet nga serioziteti i sëmundjes së tij. Ai është 74-vjeçar dhe dukshëm më i moshuar se liderët e tjerë botërorë që janë ballafaquar me virusin dhe kanë pasur para vetes zgjedhjet. Lajmi ka shtuar dyshime në mbajtjen e postit në rast se përkeqësohet shëndeti i presidentit amerikan.

Kur Boris Johonson, kryeministër britanik, ishte shtruar në spital për shkak të infektimit me koronavirus, shpërfaqi se nuk kishte asnjë procedurë zyrtare për zëvendësimin e tij dhe shtoi dyshime se kush po drejtonte vendin. Johnsoni e kishte telefonuar ministrin e Jashtëm që të ishte zëvendësues i tij në rast se ai do të humbte jetën nga COVID-19.

Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kushtetuta sqaron gjithçka. Ajo jep udhëzime të veçanta se kush duhet ta drejtojë shtetin në rast se Trumpi nuk mund ta kryejë këtë detyrë. Ani pse nuk është i sqaruar aq shumë, një nen i Kushtetutës vendos nëse presidenti është i paaftë për ta kryer punën. Sipas amendamentit 25, presidenti vetë mund të tregojë se është i paaftë duke dërguar një letër në Senat. Me këtë letër zyrtarisht mund t’ia dorëzojë postin zëvendëpresidentit Mike Pence, që mund ta drejtojë SHBA-në deri në momentin kur Trumpi njofton Senatin se mund ta kthejë fuqitë e tij si president.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme