Albin Kurti e Hashim Thaçi janë takuar e i shtrënguan duart për herë të parë, pa ndonjë detyrim kushtetues. Ish-bashkëpunëtorë e rivalë të Kurtit, e akuzuan se ndërroi çdo qëndrim e shkeli mbi çdo parim që është thirrur Lëvizja Vetëvendosje. Analistët e konsiderojnë si diçka normale dhe thonë se duhet të ketë edhe bashkëpunim e koordinim mes Thacit e Kurtit, si liderë shteti.
Presidenti Hashim Thaçi dhe Kryeministri Albin Kurti për herë të parë në 20 vjet, janë takuar në Presidencë kur Kurti e mori mandatin. Takimi zgjati katër minuta, e shihej si i detyrueshëm për shkak të procedurave.
Në 12-vjetorin e Pavarësisë, Kurti shkoi në pritjen e organizuar nga presidenti Thaçi, e atje i shtrënguan duart.
Ish-bashkëpunëtorë e kundërshtarë të Kurtit e futën shtrëngimin e duarve me Thaçin në listën e kompromiseve e ndryshimeve që, sipas tyre, i bëri prej që erdhi në pushtet.
Madje, opozita e Partia Socialdemokrate, e cila drejtohet nga ish-zyrtarë të lartë të LVV’së, i kujtuan Kurtit të gjitha sulmet e akuzat që u bëheshin atyre që u binte puna të përshëndeteshin ose të takoheshin me Thaçin. Një rast i tillë kishte ndodhur në vitin 2016, kur Albulena Haxhiu, tash ministre e Drejtësisë, doli me shkrim ku kritikonte kryetarin e Prishtinës, Shpend Ahmetin, pse ai përshendeti Thaçin, që për LVV’në ishte tradhtar i kombit.
Analisti Astrit Gashi thotë se është krejt e pritshme, që përveç shtrëngimit të duarve, të ketë edhe takime të tjera të Kurtit e Thaçit, me ardhjen e LVV’së në pushtet.
“Përtej asaj që është thënë gjatë qëndrimit ne opozitë e kritikave që u janë bërë të tjerëve, në momentin që VV ka fituar zgjedhje dhe pastaj formoi qeverinë e ka qenë e pritshme që të ketë jo vetëm shtrëngim të duarve, por priten edhe takime mes Kurtit e Thaçit”, ka thënë Gashi për Gazetën Express.
Ai thotë se nuk ka asgjë të keqe dhe se i interesojnë qëndrimet politike të dy krerëve shtetërorë, se kush kujt do t’i afrohet.
“Unë nuk shoh këtu asgjë vetvetiu të keqe. Më shumë se shtrëngimet e duarve me intereson të shoh se cilat do të jenë qëndrimet politike të palëve, nëse ato do të afrohen apo largohen dhe po se cila pale po i afrohet qëndrimeve të kujt. E njëjta vlen edhe për Vjosa Osmanin dhe shtrëngimin e duarve që ajo pati me Presidentin. Deri me tani asgjë e keqe nuk ka ndodhur”, është shprehur ai.
Profesori universitar, Rrahman Paqarizi, ka thënë sot për Gazetën Express se kryeministri Kurti po bën veprimet të duhura.
“Unë mendoj se përmes veprimeve që në opinion po diskutohen si ndryshime qëndrimesh, kryeministri Kurti po bën pikërisht veprimet e duhura duke i hedhur jashtë agjendës çështje minore”, është shprehur ai.
Paqarizi thotë se po krijohet hapësirë për koordinim mes Presidentit e Kryeministrit, që, sipas tij, janë shumë më të rëndësishme se sa simbolikat”.
“Në këtë mënyrë po krijohen parakushte për bashkëpunim dhe koordinim ndërmjet spektrit politik dhe institucioneve te vendit në kohen kur bashkëpunimi dhe koordinimi janë shumë me substanciale sesa simbolikat”, ka thënë Paqarizi.
Ndryshe Kurti si kryeministër, javën e kaluar e ka ftuar presidentin Thaçi në zyrë, për t’u koordinuar për politikën e jashtme, para se të shkonin në Munih, ku u mbajt “Konferenca e Sigurisë”. Thaçi pa u përgjigjur, u nis në Gjermani, e pas tij shkoi edhe Kurti.