Analistët: Përbërja e re e Kuvendit pa “mbikëqyrje” opozitare

Prishtinë | 09 Jan 2026 | 09:14 | Nga Ekonomia Online

Zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit kanë sjellë një legjislaturë të re të Kuvendit të Kosovës, duke rikonfiguruar raportet e forcave politike dhe duke hapur një debat të gjerë mbi funksionimin e demokracisë parlamentare në vend.

Rezultati zgjedhor ka prodhuar një shumicë të konsoliduar për partinë në pushtet, ndërkohë që partitë opozitare kanë shënuar rënie, duke dobësuar rolin e tyre si faktor balancues dhe mbikëqyrës i qeverisjes.

Në këtë kontekst të ri politik, vëmendja është përqendruar në marrëdhëniet ndërmjet Kuvendit dhe Qeverisë, në kapacitetin e opozitës për të ushtruar kontroll demokratik, si dhe në respektimin e parimeve kushtetuese që përcaktojnë Kosovën si demokraci parlamentare.

Analistë politikë paralajmërojnë se një Kuvend me dominim të theksuar të një force politike rrezikon të shndërrohet në institucion formal të miratimit të vendimeve ekzekutive, në vend se në hapësirë debati, përfaqësimi dhe llogaridhënieje.

Komentet kritike të njohësve të zhvillimeve politike sugjerojnë se legjislatura e re do të përballet me sfida serioze, përfshirë rikthimin e besimit në institucionet demokratike, tejkalimin e ngërçeve politike dhe garantimin e funksionimit efektiv të Kuvendit si organi më i lartë përfaqësues i qytetarëve.

Analisti politik Avni Arifi, për FrontOnline, ka shprehur shqetësimin e tij lidhur me legjislaturën e re të Kuvendit të Kosovës dhe përbërjen e saj politike, të dalë nga zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit. Sipas tij, konfigurimi aktual i Kuvendit nuk krijon kushte të favorshme për zhvillim të mirëfilltë demokratik.

Arifi vlerëson se dominimi i një partie në shumicën parlamentare rrezikon balancat demokratike dhe rolin mbikëqyrës të Kuvendit ndaj ekzekutivit.

“Përbërja e re e Kuvendit nuk ka hapësirë për zhvillim demokracie, pasi që shumica e saj është fituar nga një parti, deputetët e së cilës punën e tyre e shohin si instrument implementues të Sundimtarit. Pak demokraci dhe shumë hapa drejt monizmit”, ka deklaruar Arifi.

Analisti politik Azem Vllasi, ka komentuar legjislaturën e re të Kuvendit të Kosovës dhe përbërjen e tij politike, të dalë nga zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit, duke vlerësuar se rezultati zgjedhor dhe konfigurimi aktual i Parlamentit kanë qenë të parashikueshme.

Sipas Vllasit, partitë opozitare gjatë fushatës zgjedhore kanë dështuar t’i bindin votuesit dhe, në mënyrë indirekte, kanë kontribuar në rritjen e Lëvizjes Vetëvendosje.

“Kjo përbërje e Parlamentit është e pritur. Në fushatën zgjedhore partitë opozitare e ndihmuan VV-në të marrë më shumë vota sesa që kishte, sesa që pritej dhe sesa që meritoi. Partitë opozitare nuk i bindën votuesit për asgjë”, ka deklaruar Vllasi.

Ai thekson se për pasojë ka ndodhur ajo që, sipas tij, ishte e pritshme: rritje për partinë në pushtet dhe rënie për partitë e tjera politike.

“Prandaj ndodhi ajo që pritej – VV shënoi ngritje, partitë tjera rënie”, ka shtuar ai.

Duke folur për hapat institucionalë që duhet të pasojnë, Vllasi vlerëson se vendi duhet të ecë me shpejtësi drejt konstituimit të Kuvendit dhe formimit të Qeverisë së re, ndërsa në muajin mars duhet të zhvillohet edhe procesi i zgjedhjes, përkatësisht rizgjedhjes, së Presidentes.

“Tani duhet të bëhet shpejt konstituimi i Parlamentit, zgjedhja e Qeverisë e pastaj në mars zgjedhja, respektivisht rizgjedhja e Kryetares”, ka thënë Vllasi.

Në fund, analisti politik shpreh shpresën se si pozita ashtu edhe opozita do të nxjerrin mësime nga situatat e bllokadave dhe ngërçeve institucionale të vitit të kaluar.

“Besoj se të gjithë, pozitë e opozitë, do të nxjerrin mësim nga viti që na u humb me bllokada e ngërçe. Është koha t’i shërbejnë popullit dhe shtetit dhe t’i lënë anash inatet dhe tekat personale e partiake”, ka përfunduar ai.

Analisti politik Halil Matoshi, për FrontOnline, ka komentuar legjislaturën e re të Kuvendit të Kosovës dhe përbërjen e saj politike, të dalë nga zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit, duke vlerësuar se institucioni ligjvënës e ka humbur funksionin e tij kushtetues përballë Qeverisë dhe liderit të saj.

Sipas Matoshit, rritja e partisë në pushtet nuk ka qenë e papritur, ndonëse, siç thotë ai, kjo parti nuk ka adresuar asnjë problem konkret gjatë qeverisjes.

“Nuk kam pritur rritje të partisë në pushtet sepse nuk e ka zgjidhë asnjë problem. Asnjë”, ka deklaruar Matoshi.

Ai thekson se, sipas tij, një formë e re po i zbeh institucionet demokratike të shtetit dhe po i lidh ato drejtpërdrejt me liderin politik, duke dobësuar ndarjen e pushteteve.

“Turmokracia po i zbeh institucionet demokratike të shtetit dhe po lidhet me liderin. Kuvendit i është zbehë funksioni nga Qeveria. Është veç një numëratore për t’i dhënë Kurtit më shumë pushtet”, ka shtuar ai për FrontOnline.

Matoshi vlerëson se kjo qasje bie ndesh me karakterin kushtetues të shtetit të Kosovës, i cili, sipas tij, është demokraci kushtetuese dhe parlamentare.

“Kosova është demokraci kushtetuese dhe parlamentare. Kushtetuta është zëvendësuar me programin politik të VV-së”, ka deklaruar analisti.

Duke komentuar rolin e opozitës, Matoshi shprehet se ajo ka mbetur pa ide dhe pa kapacitet real politik për të përballur pushtetin aktual.

“Opozita nuk ka më asnjë ide dhe as fuqi. Tregimi popullist i VV-së i ka mposhtë të gjithë”, ka thënë ai.

Sipas Matoshit, nacionalizmi politik i liderit të Lëvizjes Vetëvendosje po gjen mbështetje të gjerë, jo vetëm te qytetarët brenda vendit, por edhe në diasporë, madje edhe te partitë opozitare.

“Nacionalizmi i Kurtit po u pëlqen qytetarëve, përfshi mërgatën, dhe opozitës. Nuk ka më fakte, dyshim as ide politike. Ka besim në kultin e personalitetit”, ka thënë Matoshi

Të ngjashme