Analisti politik Shemsi Jashari, po konsideron që rasti “Dehari” tash është duke u përdorur nga Lëvizja Vetëvendosje edhe për qërim hesapesh brenda partisë, raporton Ekonomia Online.
Jashari duke folur për akuzat që i ka bërë deputeti i VV-së, Haki Abazi, në drejtim të kryeministrit Kurti dhe anëtarëve të tjerë të kësaj partie, tha se VV-ja ka tendenca që të menaxhojë dhe të mbaj nën kontroll grupin parlamentar, dhe kjo sipas tij ka bërë që të ketë mospajtime dhe të vije deri të shpërfaqja e mos pajtimeve.
“Tendenca e menaxhimit brenda grupit të VV-së për të mbajtur gjithçka nën kontroll që edhe kur flasin të flasin me protokoll, të dinë secili deputet se çka duhet të thuhet dhe kur duhet të thuhet, ka bërë që me një moment të ketë mospajtime dhe shpërthim siç e pamë të rasti i Abazit. Ajo çka Abazi i paralajmëroi dhe e paraqiti para gazetarëve mendoj që është pak një diskrepancë mes asaj se çka u prit dhe asaj çka u tha, por sido që të jetë është një shpërfaqje e qartë e mos pajtimeve brenda grupit parlamentarë të LVV-së. Pakënaqësitë e mëdha rreth asaj se si menaxhohet grupi, se kush ka ndikim edhe kujt i imponohen qëndrimet”, tha ai për EO.
Ai tha se VV-ja e ka përdorur rastin “Dehari” për fushata politike si dhe në disa momente kur ka dashur t’i atakoj oponentët politikë. Sipas tij tash rasti “Dehari” është duke u përdorur për qërim hesapesh edhe brenda partisë.
Ai tha se VV-së është duke u kthyer “bomerang” akuzat që më herët i ka bërë pushteteve të kaluara, që për dështime në sektorë të ndryshëm, dështimi i faturohej ministrave.
“Kur flasim për rastin e Deharit mendoj që LVV-ja kohë të gjatë është bindja e imja, që e ka përdorur shumë Deharin edhe për fushatë politike edhe për momente kur ka dashur ti atakoj oponentët politikë. Kjo është edhe një seri në atë vazhdë të përdorimit të rastit Dehari për qërim hesapesh brenda partiake. Tashmë duket sikur LVV-ja po i kthehen ‘bomerang’ ato akuza që i ka bërë drejt pushtetit, dikur kur një dështim në sistemin e drejtësisë i faturohej ministrit, një dështim në sistemin e policisë i faturohej ministrit apo drejtorit të policisë. Tashmë kur kjo është në pozitën e ministres duhet që të ketë përgjegjësi politike për atë çka ndodh brenda sistemit, deklaron se nuk është fajtore që ka dikush plan për ta goditur atë”, tha Jashari.
Ai bëri thirrje që Prokuroria e Shtetit të lihet e qetë që ta kryej punën e saj për këtë rast si dhe kërkoj që politika të qëndrojë larg drejtësisë.
“Ajo çka duhet Prokuroria e Shtetit, duhet që të lihet e qetë që ta kryej punën e vetë, ti mbledh faktet vetë, të vendos në bazë të provave dhe sa më larg politika rreth rasteve të drejtësisë të dërgonte një mesazh që megjithatë drejtësia në këtë vend funksionin dhe do të duhej që të mos përzihej me politikën”, tha ai.