Ekziston një rregull i artë në politikën në Amerikë: Mos u ngatërro me anëtarë në shtetet e tyre nëse s’doni telashe.
Prandaj është pak tunduese se si zëvendëspresidentja Kamala Harris në një intervistë për një media lokale në West Virginia javën e shkuar vuri nën presion senatorin e West Virginias, Joe Manchin, për të përkrahur planin e presidentit amerikan Joe Biden për të luftuar koronavirusin.
“Sa për dijeninë tuaj në West Virginia, një në shtatë familje përballet me uri, një në gjashtë s’mund të paguajë qiranë, dhe një në katër biznese të vogla janë duke u mbyllur përgjithmonë ose tashmë janë mbyllur, andaj është një çështje e rëndësishme në West Virginia dhe gjithë vendin”, kishte thënë Harris për “WSAZ”. “Dhe për këtë presidenti dhe unë po u ofrojmë planin e shpëtimit”.
E kjo – nuk u pëlqye nga Manchini.
“E kam parë intervistën, dhe nuk mund ta besoja. Askush nuk më kishte thirrur për këtë”, ka thënë ai për “WSAZ” në fundjavë. “Do të përpiqemi të gjejmë një rrugë përpara, por duhet të punojmë bashkë. Kjo s’është mënyrë për të punuar bashkë”.
Harris po ashtu kishte shtuar presionin te senatorja Kyrsten Sinema në Arizona, për të njëjtën çështje.
Duke parë reagimin e Manchinit, Shtëpia e Bardhë në fundjavë kontaktoi demokratin për të zbutur situatën, sipas CNN-it. Mbetet e paqartë nëse Manchini është dorëzuar.
“Kemi qenë në kontakt me senatorin Manchin, siç kemi bërë qe disa javë dhe do të vazhdojmë të ecim përpara”, ka thënë Jen Psaki, zëdhënëse e Shtëpisë së Bardhë. Psaki ka refuzuar të komentojë të hënën nëse intervista e Harrisit ishte specifikisht për të shtuar presionin te Manchini.
Megjithatë, ky gabim konsiderohet amator. Bideni dhe Harrisi kanë kaluar kohë në Senat dhe duhet të kuptojnë se si një lëvizje e tillë mund të përjetohet nga Manchini apo të tjerët.
Kjo nxitje funksionon shumë më mirë përmes një thirrjeje telefonike – ose një takimi në Shtëpinë e Bardhë. Asnjë senatori nuk do t’i pëlqejë një zëvendëspresident që bën intervistë për një televizion lokal në shtetin e tyre për të thënë se kjo pikë e legjislacionit për të cilën ata janë të pasigurt, është shumë e mirë për shtetin. As edhe një, shkruan CNN-i në analizë.
Manchin deri tash ka refuzuar të marrë qëndrim në pakon stimuluese. Ai i ka thënë CNN-it, se ka pasur shqetësime për çmimin, por kishte shtuar se “po përpiqemi ta bëjmë të suksesshëm Joe Bidenin”.
Në anën tjetër, guvernatori republikan i West Virginias, Jim Justice, avokoi për një pako të madhe stimuluese në Kongres.
Administratës së Bidenit i duhet të kalojë pakon stimuluese anti-COVID-19 përmes shumicës së thjeshtë. Por për këtë, i duhen të gjitha 50 votat e senatorëve demokratë. Nëse kjo ndodhë, Harris do të çonte votën e 51-të për të përkrahur ligjin.
Senatori i Vermontit, Bernie Sanders, ka shprehur optimizmin për të tejkaluar dallimet dhe për të gjetur zgjidhjen.
“Të gjithë ne kemi dallime në qëndrime, kjo është pako 1.9 bilionë dollarëshe. Kam dallime dhe shqetësime për të, por në fund duhet të përkrahin presidentin e Shteteve të Bashkuara”, ka thënë ai për “ABC”.
Ndërkohë, një grup i senatorëve republikanë ka ofruar propozimin e tyre prej 600 miliardë dollarësh dhe pritet të flasin me Bidenin për të.
Kjo mund të shpije në një ofertë të re nëse Shtëpia e Bardhë mund të mos e sigurojë votën e rëndësishme të Manchinit.