Propagandisti i njohur serb gjatë luftës së Kosovës, Millovan Drecun, ka komentuar zhvillimet e fundit politike në Kosovë. Sipas tij, anulimi i vizitës së ambasadorit amerikan Richard Grenell është një mesazh i qartë se Washingtoni dëshiron institucione të reja dhe stabilitet politik në Kosovë.
“Është e qartë nga deklarimet e zyrtarëve amerikanë që ata janë të shqetësuar që nuk do të mund të ketë negociata apo heqje të taksës derisa nuk ka institucione të reja”, ka thënë Drecun.
Drecun ka thënë se duke parë një situatë të tillë nuk ka asnjë shenjë që mund të rinisë dialogu ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.
“SHBA dëshirojnë të gjejnë një zgjidhje për jostabilitetin politik në Kosovë sa më shpejtë që është e mundur”, është shprehur Drecun.
Sipas tij gjërat përpara mund t’i lëvizin vetëm Shtetet e bashkuara të Amerikës, megjithatë thotë se Washingtoni nuk e do Kurtin në udhëheqje të institucioneve.
“Kurti nuk ka treguar gatishmëri për të dialoguar me Serbinë, për të gjetur një zgjidhje kompromisi. Është i paparashikueshëm dhe i padisiplinuar, kështu që ata do të preferonin dikë si Hashim Thaçi, i cili është i dëgjueshëm për Washingtonin dhe sygjerimet e tyre”, ka thënë Drecun.
Sipas tij kreu i VV’së e dëshiron gjithë pushtetin për vete, përfshirë edhe postin e presidentit, gjë për të cilën Drecun thotë se nuk pajtohen amerikanët, pasi siç thotë Drecun Kurti është i paparashikueshëm .
“Është e qartë që Kurti dëshiron të gjitha levat e pushtet, postin e presidentit, kryeministrit dhe kryetarit të Kuvendit, gjë të cilën amerikanët nuk do ta pëlqejnë. Ai është faktor i paparashikueshëm. Nuk dihet si mund të sillet dhe nuk është i përshtatshëm për t’i mbajtur të gjitha”, ka thënë Drecun.