Analizë e profesorit Dukagjin Pupovci për Raportin e Progresit mbi fushën e arsimit

Prishtinë | 19 Qer 2019 | 23:43 | Nga Ekonomia Online

Një analizë e Raportit të Progresit, pika 6.13 – Edukimi

Autor: Prof.Dr. Dukagjin Pupovci – Drejtor ekzekutiv i Qendrës Kosovare për Edukim

Eksperti i çështjeve që kanë të bëjnë me edukimin dhe sistemin arsimor, profesori  Dukagjin Pupovci, për KLSC News ka komentuar në mënyrë të detajuar Raportin e Progresit për Kosovën që është publikuar nga Komisioni Evropian për vitin 2019-të.

Në analizën e tij, ai pajtohet me shumicën e përfundimeve të nxjerra në raport, siç është cështja e shpërndarjes së mjeteve të ndara nga buxheti i Republikës së Kosovës në ngritjen e cilësisë së arsimit. Pupovci thotë se shumica e parave shkojnë për rrogat e punonjësve të arsimit, por jo për ngritjen e cilësisë së arsimit.

Ndër të tjera Pupovci flet edhe për rastin e largimit të Kosovës nga EQAR( Regjistri Evropian i Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë), mungesën e transparencës për punësimet që bëhën në sistemin arsimor, mungesën e një strategjie për përmirësimin e cilësisë së arsimit  dhe për mungesën e programeve cilësore për arsim.

Raporti i Progresit, pa lënë, asnjë mëdyshje, konstaton mungesë progresi në fushën e arsimit. Për më tepër, nga raporti del se as rekomandimet nga raporti paraprak nuk janë adresuar.

Më poshtë janë dhënë pikat kyçe të raportit, të shoqëruara me komente.

  • Kosova shpenzon rreth 4.7% të GDP për arsim, por ky buxhet nuk shpenzohet në mënyrë efektive për të ofruar arsim cilësor për të rinjtë.

Koment:Me këtë rast, duhet theksuar se pjesa më e madhe e këtij buxheti shpenzohet për pagat e punonjësve të arsimit, rritja e të cilave është bërë temë e fushatave zgjedhore dhe nuk ka asnjë lidhje me përmirësimin e cilësisë së mësimdhënies dhe të nxënit.

  • Regjistrimi në arsimin e obligueshëm dhe atë të mesëm të lartë është i kënaqshëm, por jo edhe në nivelin parashkollor, ku Kosova ngecë në raport me të gjitha vendet e Rajonit dhe me BE-në.

Koment:Vijimi i edukimit parashkollor është me rëndësi për shkak se në këtë fazë zhvillohen shkathtësitë e para-leximit dhe para-numeracionit që shërbejnë si bazë për fillim të suksesshëm të arsimit të obligueshëm. Në veçanti, kjo ka rëndësi për fëmijët nga grupe të margjinalizuara shoqërore (të varfërit, romët, ashkalinjtë, egjiptianët, fëmijët me aftësi të kufizuara, etj.)., pasi mundësitë e tyre për t’i zhvilluar këto shkathtësi në rrethin familjar janë akoma më të kufizuara.

  • Pjesëmarrja në arsimin e lartë përbën dyfishin e mesatares së BE. Sidoqoftë, shkalla e diplomimit është e ulët, ndërsa papunësia e të diplomuarve relativisht e lartë (20%).

Koment:Në vitin 2004/05 në Kosovë kanë qenë më pak se 40,000 studentë, ndërsa në vitin 2016/17 ky numër gati është trefishuar. Kërkesa e shtuar për arsim të lartë na ka zënë jashtëzakonisht të papërgatitur dhe na ka bërë që kësaj kërkese t’i përgjigjemi me improvizime, duke harruar kapacitet e kufizuara njerëzore dhe financiare me të cilat disponojmë. Kështu, janë hapur dhjetëra programe të reja studimore në institucionet publike e private, pa siguruar paraprakisht kuadrin akademik të kualifikuar dhe kushtet tjera të nevojshme për funksionim normal. Është shtuar pa kontroll numri i studentëve në programe, duke i stërngarkuar auditorët dhe duke bërë të pamundur çdo ndërveprim përmbajtjesor në mes të stafit akademik dhe studentëve. Kuptohet, kostoja e këtyre veprimeve është rënia e cilësisë. Nuk po them se para se të na ndodhë masivizimi në arsimin e lartë kemi pasur ndonjë cilësi për lakmi. Megjithatë, në periudhën e pasluftës cilësia ka degraduar dukshëm si pasojë e masivizimit, por edhe e faktorëve të tjerë. Një sondazh me mbi 1,500 studentë të përzgjedhur rastësisht në UP tregon se nota mesatare e tyre është 8.08 që më shumë flet për kriterin që aplikohet sesa për ndonjë performancë të mirë të studentëve. Po këta studentë konfirmojnë se kopjimi është dukuri masive (rreth 80%), si dhe se në programet ku ata studiojnë nuk realizohet puna praktike.  Po besoj se gjendja në institucione të tjera të arsimit të lartë mund të jetë edhe më alarmante. Është vështire të kërkohet cilësi aty ku numri i stafit akademik është në shpërputhje të madhe me numrin e studentëve. Ne kushte të tilla është normale të ketë kopjime, mungesë të punës praktike dhe zbritje të kriterit. Pastaj, vinë edhe të gjitha problemet tjera që kanë të bëjnë me përmbajtjen e programeve, mungesën e laboratorëve, etj.Punëdhënësit po ankohen në vazhdimësi se nuk po gjejnë kuadër të kualifikuar i cili do ta avanconte biznesin e tyre, pra mungesa e cilësisë në arsim perceptohet si pengesë për zhvillim ekonomik.  Në fakt, Kosova si vend i vogël me papunësinë më të lartë në Evropë përballet me një problem akoma më kompleks. Ne, jo që duhet të krijojmë kuadro të kualifikuara për tregun vendor të punës, por cilësia e përgatitjes së tyre duhet të jetë e tillë që të mund të punësohen edhe jashtë vendit. Këtë e them duke u bazuar në faktin se ekonomia e Kosovës nuk ka shumë kapacitet për të gjeneruar vende pune, pasi mbi 90% e bizneseve bëjnë pjesë në kategorinë e mikro-ndërmarrjeve me më pak se 10 punëtorë, ndërsa sektori publik tanimë i ka arritur limitet e punësimit.

  • Pas largimit të Agjencisë së Kosovës për Akreditim (AKA) nga EQAR shihen ca hapa pozitivë drejt rikthimit në këtë institucion dhe respektimit të standardeve.

Koment: Siç është mirë e njohur, AKA është larguar nga EQAR në fillim të vitit 2018 për shkak të ndërhyrjes politike nga ana e Qeverisë në shtatorin e vitit 2017kur është shkarkuar Bordi i AKA, pa ndonjë arsye të fortë. Kjo ka krijuar një atmosferë mobilizuese në Kuvend, ku të gjitha subjektet politike kanë kërkuar që zgjedhja e Bordit të ri të bëhet mbi bazën e meritave, e jo të kriterit të përshtatshmërisë politike. Bordi i zgjedhur përmes konkursit publik, të vëzhguar me ku8jdes nga mediat dhe shoqëria civile, ka bërë ca hapa pozitivë dhe ka demonstruar se mund të merr edhe vendime të vështira. Megjithatë, vërehet qartë tendenca që AKA të kontrollohet përmes stafit civil dhe mekanizmave të tjerë, prandaj nuk është e thënë se trendet pozitive në funksionimin e Bordit do të sjellin deri tek evitimi i pasojave të shkaktuara nga ndërhyrja politike e Qeverisë

  • Mungesa e transparencës në punësime në të gjitha nivelet e sistemit të arsimit, në veçanti nepotizmi dhe politizimi në punësime dhe avancime në arsimin e lartë.

Koment: Në arsimin parauniversitar, punësimet mbi baza nepotiste dhe partiake janë dukuri e zakonshme, pasi punësimet e tilla bëhen në nivelin komunal dhe janë ndër mundësitë e pakta të krerëve komunalë për të akomoduar në punë familjarë dhe bashkëpartiakë. Ndërkaq, në arsimin e lartë, politizimi shkon përtej favoreve personale. Unë “politizimin” e shoh si proces të shfrytëzimit të arsimit të lartë për të siguruar përfitime politike. Në kontekstin tonë, masivizimi i arsimit të lartë ka qenë një formë e politizimit, sepse është realizuar për përfitime politike. Kjo është manifestuar përmes themelimit të 6 universiteteve publike në kohë të fushatave zgjedhore, pa bërë asnjë përgatitje paraprake, edhe pse nuk ka pasur asnjë nevojë për nxitim. Kështu, ne sot kemi 5 fakultete juridike dhe 5 fakultete ekonomike në sektorin publik dhe ku ta di se sa në sektorin privat, ndërsa në vendin me më pak se 2 milionë banorë 40,000 të rinj studiojnë për drejtësi dhe ekonomi, ndërkohë që në tregun e punës kemi mijëra juristë dhe ekonomistë të papunë. Ky është një efekt i politizimit. Efekti tjetër është improvizimi masiv dhe vetëmashtrimi se me hapje të një universiteti apo një programi, me automatizëm garantohet edhe cilësia e tij.

  • Nuk ka progres të mjaftueshëm në arritjen e objektivave të Planit Strategjik për Arsimin në Kosovë 2017-2021 (PSAK), ndërsa Qeveria alokon vetëm gjysmën e buxhetit të nevojshëm për implementimin e tij.

Koment: Këtu mungon një strukturë organizative që do të bënte planifikimet e duhura dhe zbatimin e masave që parasheh PSAK, e rreth të cilave ekziston një konsensus i gjerë në shoqëri.  Sa i përket buxhetit të pamjaftueshëm, kjo është e pritshme, pasi në Kosovë rritja e buxhetit është në funksion të rritjes së pagave dhe kjo bëhet për qëllime elektorale, jo për të përmirësuar gjendjen në arsim.

  • Kosova duhet të zbatojë kornizën e re kurrikulare, ta përmirësojë trajnimin e mësimdhënësve dhe ta zbatojë strategjinë për sigurimin e cilësisë.

Koment: Korniza Kurrikulare e Kosovës sjell një qasje krejtësisht të re në organizimin e procesit mësimor – qasje të bazuar në kompetenca. Pra, sipas kësaj kornize, shkollat duhet të marrin të gjitha masat e nevojshme që nxënësit t’i arrijnë kompetencat e duhura. Shkollat tona nuk janë të përgatitura për një sfidë të tillë e as që ju ofrohet ndonjë mbështetje cilësore në këtë drejtim. Së pari, mungojnë tekstet mësimore adekuate, pastaj edhe infrastruktura për realizimin e një kurrikule të tillë, e që përfshin në vete mjetet e konkretizimit dhe teknologjinë. Mbi të gjitha, përgatitja e mësimdhënësve nuk është adekuate dhe ky vazhdon të jetë problem i madh për Kosovën. Sa i përket Strategjisë për sigurimin e cilësisë ajo është e integruar në PSAK, prandaj vlen ajo që kam shkruar në pikën paraprake.

  • Cilësia jo e kënaqshme e programeve të arsimit dhe aftësimit profesional.

Koment: Vërejtje plotësisht e arsyeshme. Edhe pse mbi gjysma e nxënësve të shkollës së mesme vijojnë programe të arsimit profesional, me ndonjë përjashtim, këto programe nuk ofrojnë përgatitje të duhur për tregun e punës. Problemi kryesor qëndron tek natyra e  programeve që nuk janë në përputhje me kërkesat e ekonomisë vendore, por edhe te mungesa e punës praktike, e cila i lë nxënësit të paaftësuar për profesionin. Shumica dërrmuese e këtyre programeve nuk ia dalin t’i plotësojnë kriteret e Autoritetit Kombëtar të Kualifikimeve për akreditim, ndërsa, në shumë raste ato mbahen të hapura për t’i ruajtur vendet e punës të stafit mësimor, e jo sepse i duhen dikujt. (klsc.eu)

Të ngjashme