Në rajonin e Anamoravës janë shpeshtuar ndërprerjet e rrymës. Derisa banorët dhe zyrtarët komunalë ankohen, në KEDS kanë thënë se në këtë rajon gjendja është më stabile se në rajonet e tjera.
Ndërprerje ka pasur edhe të martën, shkaku i prishjeve të shkaktuara nga era e fuqishme e së hënës mbrëma, shkruan sot Koha Ditore.
Sipas zyrtarëve të KEDS-it, probleme të tilla janë evidentuar edhe në rajonin e Prizrenit, Mitrovicës dhe Gjakovës.
Zëdhënës i KEDS-it, Viktor Buzhala, deklaron se ata nuk presin që të ketë reagime nga Komuna e Gjilanit dhe nga Komuna e Vitisë meqë gjendja është shumë më e rëndë në komunat e tjera.
“Rajoni i Anamoravës është më së miri. Sepse në Pejë ne kemi 15 prishje dhe gjysmën e Pejës e kemi në terr. Në rajonin e Gjilanit kemi vetëm 1 prishje dhe 400 konsumator janë pa energji elektrike kurse në Pejë i kemi 15 mijë. Kështu nuk presim që Gjilani dhe as Vitia të reagojnë në kësi raste meqë problemet më të mëdha i kemi tjetërkah. Kemi probleme në Pejë, Mitrovicë, Gjakovë e Prizren”, ka thënë ai.