Sulmuesi i Eintracht Frankfurtit, Andre Silva, është duke i injoruar spekulimet që e lidhin me një kalim te një klub më i madh.
Portugezi ka shënuar 19 gola në 21 paraqitje në Bundesliga këtë sezon duke nxitur thashetheme për interesimin e klubeve të mëdha.
Një prej tyre është Manchester Unitedi, klub me të cilin është lidhur 25-vjeçari në javët e fundit.
“Kam dëgjuar thashetheme, por me kaq përfundon. Thashethemet janë thashetheme”, ka deklaruar Silva për O Jogo.
“Në fund të sezonit, është diçka që më jep më shumë motivim për të punuar, është një shenjë se ajo që kam arritur ka dhënë frute dhe rrugëtimi ka qenë i mirë”, ka shtuar sulmuesi.
Para se të kalonte te klubi gjerman, Silva ka qenë në pronësi të Milanit (2017-2020), por ishte huazuar në dy raste (te Sevilla dhe Frankfurti, para se ta bënte transferimin afatgjatë).