Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, i shoqëruar nga bashkëpartiak e familjarë kanë bërë homazhe te varri i veprimtares Nekibe Kelmendi, në 10-vjetorin e vdekjes, raporton Ekonomia Online.
Abdixhiku me këtë rast tha se Nekibe Kelmendi mbetet model dhe frymëzim për të gjithë, një grua e fortë që edhe pse humbi dy djemtë dhe burrin nuk u ndal të punojë për Kosovën.
Sipas tij, LDK-ja do ta kujtojë zonjën Kelmendi për kontributin e saj.
“Është një ditë e vështirë dhe mburrje për ju dhe familjen. E ne si LDK çfarë aktiviste të devotshme e kemi pasur. Jo vetëm aq”.
“Me vet faktin që ka humbur një familje burrin me dy djemtë dhe ka arritur të punojë për Kosovën është model për secilin prej nesh dhe frymëzim. Zonja Nekibe e ka humbur një pjesë të familjes së saj, por e ka fituar një familje të tërë në Kosovë. LDK-ja do ta kujtojë zonjën Kelmendi për kontributin e saj”.
Kurse e bija e Nekibe Kelmendit, Kosovare Kelmendi, tha se e kujton atë si simbol të qëndresës, duke falënderuar Abdixhikun për kujdesin, raporton EO.
“Në dhjetë vjetorin e nënës time Nekibe Kelmendit shfrytëzoj rastin të falënderoj kryetarin Lumir Abdixhikun për kujdesin dhe kujtimin për nënën time”.
“Unë e kujtoj atë si një simbol të qëndresë e cila arriti t’i shndërroj në një luftë për pavarësinë tonë. Nuk ishte e vetmja që pësoi tragjedi ka nëna të shumta”.
Nekibe Kelmendi, për një kohë të gjatë ushtroi detyrën e gjykatëses dhe avokates.
Në fund të viteve të 80-ta ishte një nga bashkëthemelueset e Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Prishtinë dhe një nga funksionaret e larta të Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Në mars të vitit 1999 bashkëshorti i saj Bajram Kelmendi veprimtar i njohur për të drejtat e njeriut dhe avokat si dhe dy djemtë e saj u ekzekutuan nga forcat serbe. Pas luftës, nga janari i vitit 2000 deri në nëntor vitit 200, ishte bashkëdrejtuese e Departamentit të Drejtësisë së UNMIK-ut. Kurse përveç postit të deputetes, ajo ka qenë edhe ministre e Drejtësisë në qeverinë e Kosovës.
Ishte pjesëmarrëse edhe në grupin e ekspertëve në kuadër të Ekipit të Unitetit në negociatat për statusin e Kosovës si dhe në grupin e ekspertëve për hartimin e Kushtetutës së Kosovës.