Kryesuesi i Bordit të Drejtorëve i Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP), Petrit Gashi, priti sot një delegacion nga Komisioni për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri i Kuvendit të Kosovës, që kryesohej nga kryetari Muhamet Mustafa.
Mustafa, si dhe anëtarët e Komisionit, Besim Beqaj dhe Raif Qela, shprehën interesim për një varg çështjesh, për të cilat u informuan nga kryesuesi i Bordit, Gashi, dhe anëtarët e tjerë të Bordit, Bajram Zejnullahu, Haxhi Arifi, Ismail Januzi, Ranko Djokiq, si dhe nga zëvendësdrejtorët Menaxhues të Agjencisë, Valbona Dibra dhe Avni Jashari.
Sipas një njoftimi shtypi, në takim u diskutuan çështje që vazhdojnë të jenë sfiduese për Agjencinë e Privatizimit.
“Kryesuesi i Bordit të Drejtorëve, Petrit Gashi i informoi anëtarët e komisionit për zhvillimet dhe aktivitetet e agjencisë dhe çështjet të cilat ndërlidhen me rritjen e efikasitetet të punës së Agjencisë”.
“U diskutua edhe lidhur me progresin e shpërndarjes së 20% për punëtorët e NSh-ve të privatizuara, pagesën e kërkesave të kreditorëve të Ndërmarrjeve Shoqërore, ku vetëm brenda 5 muajsh janë aprovuar shpërndarjet e pagesave për kreditorët e 93 NSh-ve me totalin e pagesave prej 13.5 milion euro, për procesin e riorganizimit të ndërmarrjes ‘Trepça’ dhe procesin e studimit të fizibilitetit që është në proces e sipër, procesin e lirimit të pronave të uzurpuara në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës, për ndryshimin e ligjit të AKP-së dhe përmirësimin e legjislacionit dhe procedurave, si dhe për mundësinë e përshpejtimit në trajtimin e lëndëve të ndërlidhura për Agjencinë nga Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme”, njoftohet në komunikatën e AKP-së.