Anëtarja e Bordit të Komisionit të Pavarur për Media (KPM), Luljeta Aliu, ka thënë se ka pasur shkelje brenda këtij komisioni në rastin “ArtMotion” dhe “DigitAlb”, raporton Ekonomia Online.
Ajo ka thënë se ka kërkuar që çështja e “ArtMotion” dhe “DigitAlb” do të duhej dërgohej në Prokurori por se kështu nuk kishte vepruar KPM-ja.
“Ka pasur shkelje, parregullsi, edhe mungesë transparence brenda për brenda komisionit tonë. Kjo për mua përbën një provë e cila do të duhej të dërgohej në Prokurori për të parë nëse ka ekzistuar mashtrimi, jo vetëm ndaj qytetarëve, por edhe ndaj KPM-së. ‘ArtMotion’ na ka dhënë se i ka të drejtën e transmetimit deri në fund të dhjetorit, nga ‘DigitAlbi’ është dhënë sqarimi se ata kanë mundur ta transmetojnë deri në fund të janarit”, ka deklaruar Aliu.
Fitim Veliu, anëtari tjetër i KPM-së, ka thënë se i ka dhënë përkrahje iniciativës së Aliut për të çuar në Prokurori këtë lëndë.