Elvin Guri mund të kishte mbetur i panjohur për publikun e gjerë shqiptar po të mos ishte shfaqur në titujt e lajmeve si një ndër aksionerët kryesorë të Telekom Albania. Z. Guri është një sipërmarrës me përvojë 25 vjeçare në sektorin financiar, i njohur për publikun bullgar si një investitor i suksesshëm. Në Shqipëri, emri i tij u bë i njohur nga mediet kur u bë pjesë në një aset që paraqet interes publik, siç është operatori shqiptar i telefonisë së lëvizshme.
Por, ndërsa emri i tij përmendet kudo si investitor, pak njihet për kontributin social që ai jep në fushën e arsimit. Kjo sepse z. Guri ka preferuar që të ruajë modestinë teksa ofronte bursa studimi për 350 studentë shqiptarë dhe bullgarë në Bullgari. Çmimi i Princeshës Maria Louisa të Bullgarisë nxori në pah kontributin që ai ka dhënë në arsim dhe hodhi dritë mbi Elvin Gurin si një bamirës që me modesti kishte ndihmuar me qindra studentë. Kjo ngjarje është publikuar edhe në faqen zyrtare të Universitetit Amerikan të Bullgarisë (AUBG) ku theksohet se Çmimi i të Diplomuarit të Dalluar për Inovacion dhe Ndryshime Sociale u jepet personave me kontribut të rëndësishëm në shoqëri.
Studimet jashtë vendit janë një investim shumë i kushtueshëm për studentët shqiptarë, për këtë arsye pothuajse 90% e bursantëve janë shqiptarë. Me ndihmën e bursave të dhëna nga z. Guri, shumë studentë të talentuar kanë studiuar në AUBG dhe sot kanë pozicione të rëndësishme pune si në Shqipëri ashtu edhe jashtë saj.
Rastësia e bëri Elvinin që të aplikojë në AUBG më 1992, pa e ditur se disa vite më vonë, ai do të përmendej si ish-studenti më i suksesshëm i asaj shkolle. Së bashku me bashkëshorten, Ralitsa Agayn-Guri, ata investojnë në arsim, si mjeti më i fuqishëm për t’i dhënë një mundësi më shumë të rinjve të talentuar. Çifti Guri ka investuar në arsim përmes institucioneve të ndryshme si AUBG, Junior Achievement dhe “Teach Bulgaria”.
Junior Achievement është një program që zhvillohet në më shumë se 100 shtete, me misionin e edukimit ekonomik dhe sipërmarrjes tek të rinjtë. Prej shumë vitesh, Elvini është pjesë e bordit të Junior Achievement në Shqipëri, ndërsa Ralitsa në Bullgari, dhe të dy kontribuojnë për ecurinë e këtij programi. Së fundmi, në maj të këtij viti, z. Guri ishte një ndër donatorët kryesorë në aktivitetin e mbledhjes së fondeve për studentët e pa privilegjuar, organizuar nga Universiteti Amerikan i Kosovës – Instituti Teknologjik i Rochester Prishtinë. (balkanweb.com)