I paraqitur si biznesmen, D.E. u kishte kërkuar zyrtarëve policorë R.M. dhe F.K. që ta vendosnin numrin e gruas së tij nën masat e fshehta dhe t’ia përcillnin hyrjet-daljet e numrit të telefonit.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore të Prishtinës, D.E. kërkesën zyrtarëve policorë që punonin si hetues në Drenas, ua kishte parashtruar duke u premtuar njëkohësisht se do t’u gjendet për të kryer ndonjë punë apo për t’ua punësuar ndonjë familjar.
Gjithnjë sipas aktakuzës, hetuesit policorë edhe pse nuk ishin duke hetuar asnjë rast që kishte ndonjë lidhje me numrin e gruas së D.E., kishin numrin e saj në kërkesën për aplikimin e masave të fshehta, nxjerrjen e SMS-ve, hyrjeve dhe daljeve nga 1 janari 2014 deri më 19 qershor 2014, shkruan Kallxo.com.
Prokuroria pretendon se D.E. me këto veprime ka kryer veprën e ushtrimit të ndikimit.
Seanca e paraparë për këtë rast nuk u mbajt për arsye se sipas avokatit të D.E. ai ndodhej jashtë vendit.
Lidhur me këto pretendime D.E. ishte deklaruar i pafajshëm.