Ish-kancelarja Merkel u nderua me medaljen më të lartë të Gjermanisë, Kryqin e Madh të Urdhërit Federal për Merita. A është ky vendim i drejtë?
Deri më sot në Gjermani janë nderuar me Urdhrin e Meritës më shumë se 260,000 vetë. Por Angela Merkel është personi i tretë që nderohet me shkallën më të lartë të Urdhrit të Meritës për qytetarët gjermanë: Kryqin e Madh. Ky çmim i rëndësishëm u është dhënë “gjermanëve dhe të huajve për arritje në fushat politike, ekonomike, sociale apo intelektuale” që nga viti 1951.
Dy paraardhësit e saj ishin gjithashtu kancelarë dhe i përkisnin të njëjtës parti konservatore si Merkel, Unionit Kristian Demokrat. Konrad Adenauer, kreu i parë i qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë, e mori Kryqin e Madh për integrimin ekonomik dhe politik të Republikës Federale në Evropën Perëndimore në vitin 1954. Helmut Kohl, i cili hapi rrugën për ribashkimin e Gjermanisë dhe luajti rol vendimtar për futjen e euros si monedhë në vend të markës gjermane, u nderua në vitin 1998.
“Epokë 16 vitesh të humbura”?
Albrecht von Lucke, politolog dhe redaktor i së përmuajshmes të njohur politike “Blätter für deutsche und Internationale Politik”, thotë për DW se në historinë e pasluftës së Gjermanisë, si Adenaueri ashtu edhe Kohli u detyruan të merrnin vendime “të guximshme” politike – të pavarura prej pikëpamjeve të tyre politike ose pasojave të vendimeve të tyre.
Kurse koha e qeverisjes së Anglea Merkelit ishte një “epokë 16 vitesh të humbura”. Von Lucke thotë: “Ne sapo kemi filluar të shohim se sa problematike është trashëgimia e Angela Merkelit. Dhënia e një çmimi të tillë tani është krejtësisht e parakohshme dhe jo çmimi i duhur. Ende nuk është e qartë se cilat janë meritat dhe cilat janë dështimet e saj .”
Kritika lidhur me politikën për klimën dhe atë ndaj Rusisë
Politika e Merkelit për mbrojtjen e klimës është kritikuar, sepse kriza klimatike po përkeqësohet në mënyrë dramatike. Dikur e quajtur “kancelarja e klimës” Gjermania nën drejtimin e Merkelit nuk i arriti objektivat për reduktimin e emetimeve të gazeve serrë.
Por mbi të gjitha ish-kancelarja fajësohet për politikën e saj ndaj Rusisë. Pas sulmit rus ndaj Ukrainës në shkurt 2022, i cili filloi menjëherë pas largimit të Merkelit nga detyra, u shtuan zërat kritikë se ish-kancelarja ishte treguar shumë e butë me Moskën. Ajo është gjithashtu personi kryesor përgjegjës për rritjen e varësisë energjetike të Gjermanisë nga Rusia.
Në një paraqitje të rrallë publike vitin e kaluar, Merkel e dënoi luftën e Rusisë në Ukrainë, por mbrojti përpjekjet e saj diplomatike dhe refuzoi të pranojë ndonjë gabim në politikën e jashtme. “Unënuk do të kërkoj falje për këtë,” tha ajo në lidhje me politikën e saj ndaj Rusisë para një auditori në Berlin.
Mbrojtëse e status quo-së
Por ndërsa disa e shohin kohën e Angela Merkelit si kancelare si një mundësi të humbur, të tjerë e vlerësojnë atë për mbrojtjen e status quo-së në një kohë trazirash dhe sfidash, si ajo e bankave, e borxheve dhe e refugjatëve. “Ajo arriti ta mbajë BE-në të bashkuar dhe ta forcojë atë në kohë të trazuara,” tha për DW Lucas Schramm, politolog në Universitetin Ludwig Maximilian të Mynihut.
Debati për trashëgiminë e Merkelit nuk ka përfunduar ende. Qoftë i merituar apo i parakohshëm, vendimi për t’i dhënë asaj Urdhrin e Meritës të paktën e riktheu kancelaren në pension në qendër të vëmendjes së publikut, gjë që ajo përpiqej ta shmangte gjatë mandatit të saj, dhe së cilës i ka ndejtur kryesisht larg që nga rikthimi i saj në jetën private./DW