Gjatë 24 orëve të kaluara, nga koronavirusi në Angli kanë vdekur 482 persona. Kjo është shifër shumë më e vogël në krahasim me numrin e viktimave që u shënuan saktësisht para një jave.
Të dielën e kaluar, në Angli ishin regjistruar 657 viktima. Rënia e numrit të të vdekurve duket se ka ardhur si rezultat i masave të marra nga qeveria, shkruan “Daily Mail”.
Autoritetet shëndetësore në Uells njoftuan se i kanë regjistruar 41 viktima të reja të koronavirusit dhe kështu shifra e përgjithshme e të vdekurve në këtë shtet shkoi në 575.
Qeveria britanike ka paralajmëruar se dyqanet e rrobave dhe qendrat për mirëmbajtjen e kopshteve mund të hapen me kusht që të respektohen masat mbrojtëse.
Megjithatë, ministri Michael Gove ka deklaruar se është ende herët për largimin e masave kryesore, duke thënë se qeveria nuk është duke e menduar këtë opsion pa u shënuar rënie e viktimave të reja.
Britania është një ndër shtetet më të prekura nga koronavirusi në Evropë, pas Italisë, Spanjës dhe Francës. Me sëmundjen e re është infektuar edhe kryeministri i vendit, Boris Johnson, por ai tashmë është liruar nga spitali pas përmirësimit të gjendjes.