Dy yjet e Anglisë, Raheem Sterling dhe Callum Hudson-Odoi e kanë quajtur të papranueshëm racizmin ndaj futbollistëve anglezë gjatë fitores 5 me 1 në Mal të Zi.
Koret raciste u drejtuan për një numër futbollistësh në ndeshjen eliminatore të Grupit A për Euro 2020.
Vetë përzgjedhësi Gareth Southgate ka thënë se incidentet do të raportohen në UEFA.
“Është e papranueshme”, ka thënë Southgate. “Kam dëgjuar abuzimin e Danny Roset kur u ndëshkua. S’ka dyshim për atë që ka ndodhur. E di që kam dëgjuar. Duhet të sigurohemi që lojtarët të kenë përkrahje, e dinë se jemi një grup. Duhet t’i raportojmë përmes kanaleve të duhura. Është e qartë se shumë njerëz e kanë dëgjuar dhe duhet të vazhdojmë t’iu besojmë autoriteteve për të marrë veprimet e duhura”.
Në anën tjetër, Sterling ka thënë se duhet patjetër të ketë ndëshkim për Malin e Zi. Edhe 18-vjeçari i Chelseat, Hudson-Odoi, ka thënë se një gjë e tillë është e papranueshme teksa ka kërkuar nga UEFA të merret me rastin.
Me dy fitore Anglia prin në grupin ku bën pjesë edhe Kosova.