Rreth 400 milionë funte më pak janë ndarë për biblioteka, muze dhe galeri të artit në Angli gjatë tetë vjetëve të fundit, duke shkaktuar mbylljen e qindra qendrave të këtilla të arsimit dhe kulturës.
Udhëheqësit e këshillave rajonalë, të cilët kryesisht udhëhiqen nga konservatorët, kanë thënë se zvogëlimi i fondeve për bibliotekat, muzetë dhe galeritë e artit është bërë me qëllim që të sigurohen mjete të mjaftueshme financiare për kujdesin ndaj të moshuarve dhe grupeve tjera të ndjeshme të shoqërisë.
Këshilli i rajonit të Esexxit po planifikon t’i mbyllë dy të tretat e 74 bibliotekave, ndërsa Këshilli i qytetit të Birminghamit po planifikon t’i pakësojë grantet për organizatat kulturore për gati pesëdhjetë për qind. Liderët e këshillave rajonalë kanë paralajmëruar se ata do të jenë të detyruar të mbyllim edhe më shumë qendra kulturore në rast se qeveria qendrore nuk u jep më shumë fonde për shërbimet e përkujdesit ndaj njerëzve nevojtarë.
Sipas të dhënave zyrtare, shpenzimet e autoriteteve lokale për bibliotekat, galeritë dhe muzetë nga viti 2011 janë zvogëluar për më shumë se 390 milionë funte. Sipas analizës së bërë nga Rrjeti i Këshillave Lokalë, zvogëlimin më të madh e kanë pësuar libraritë në mbarë vendin. Në anën tjetër, shoqëria civile ka organizuar disa fushata dhe peticione kundër pakësimit të fondeve për kulturën, shkruan “Independent”.