Anija kozmike kineze pritet të lëshohet në pjesën më të largët të Hënës

Prishtinë | 02 Jan 2019 | 16:57 | Nga Ekonomia Online

Një anije kozmike kineze pritet të bëhet objekti i parë fluturues që do të lëshohet në një pjesë të skajshme të Hënës. Ky mision po vlerësohet si hap i madh për hulumtimin e satelitit natyror të Tokës. Synohet që kjo pajisje të lëshohet në polin jugor, aty ku ndodhet krateri më i vjetër, më i madh dhe më i thellë i Hënës.

Anija robotike bëri një fluturim eliptik rreth Hënës gjatë fundjavës dhe iu afrua sipërfaqes së saj në një largësi prej 15 kilometrash. Autoritetet kineze nuk e kanë konfirmuar kohën e saktë të lëshimit të saj, por mediet shtetërore kanë raportuar se ky operacion do të kryhet në orët e para të së enjtes.

Kjo anije kozmike më parë ka bërë fotografi të Hënës, por asnjë pajisje nuk është lëshuar në atë pjesë të sipërfaqes. Nëse misioni mbaron me sukses, ai do ta shënonte një hap të madh drejt plotësimit të ambicieve të Kinës për t’u bërë fuqi e kërkimeve hapësinore, së bashku me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Rusinë.

Një pengesë teknologjike e këtij misioni është se komunikimi i drejtpërdrejtë me këtë anije kozmike nga Toka është i pamundur. Sidoqoftë, komandat dhe sinjalet po dërgohen me ndihmën e një sateliti artificial që ndodhet në anën tjetër të Hënës, shkruan “The Guardian”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme