Është mbajtur sot takimi virtual mes Ministrit të Ekonomisë, Bankës Botërore dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, ku temë diskutimi ishte Ankandi për Energji të Ripërtritshme.
Ankandi për Energji të Ripërtritshme, që si ide ka kohë që është lansuar, do të zëvendësojë sistemin e Tarifës Nxitëse për Energji të Ripërtritshme. Në këtë orientim të ministrisë, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim ka ndihmuar me një konsulencë të profilizuar për ankand.
Ministri Kuçi i falënderoi të dy bankat për ndihmë për këtë ankand, duke e theksuar angazhimin e Ministrisë së Ekonomisë dhe Ambientit për të nxitur investimin që sjell një kosto më të përballueshme për konsumatorë dhe që është një hap drejt politikave të gjelbra të ekonomisë dhe energjisë.
Kjo qasje u përshëndet nga shefi i Zyrës së Bankës Botërore, Massimiliano Paolucci, duke e parë si hap pozitiv të Qeverisë së Kosovës.
Në këtë takim pati edhe një informim për procedurat e punëve që kanë filluar nga grupet punuese, për të cilat ministri udhëzoi të punohet në ritëm të shpejtë, që ankandi i parë për energji të ripërtritshme të zhvillohet në pjesën e parë të vitit 2021.