Ministri Kuçi në Drenas ofron mbështetje për Liqenin e Vërbovcit dhe impiantin për ujëra të zeza

Prishtinë | 30 Sht 2020 | 13:09 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ministri i Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuçi, ka vizituar komunën e Drenasit, ku është takuar me kreun e kësaj komune, Ramiz Lladrovci, raporton Ekonomia Online.

Në një takim të gjatë u diskutuan një sërë temash, që tashmë janë nën kompetencat e MEA-së, e që më parë kanë qenë të ndara në disa ministri.

Kryetari Lladrovci kërkoi që projekti për rregullimin e shtratit të lumit Verbica dhe Drenica, që po zhvillohet nga MEA, të fokusohet në kryerjen e punëve në fshatin Shtrubullovë.

Ministri Kuçi premtoi që punët në këtë projekt do të ecin sikur janë paraparë, teksa tregoi që Liqeni i Verbovcit është një projekt që pritet të ecë përpara me anë të kredisë së negociuar më parë me Qeverinë Hungareze.

“Ajo çka biseduam ishte për politikat zhvillimore që i ka komuna e Drenasit, në fushën ku jam unë ministër, konkretisht në çështjen e ujërave, trajtimin e ujërave të zeza dhe rregullimet ambientale, çfarë është edhe rregullimi i shtratit të lumit Drenica. Me rëndësi është se, ne jemi në një fazë fillestare por është e rëndësishme që ka të bëjë me një kredi hungareze për liqenin e Vërbovcit, që është me rëndësi jetike për qytetarët e komunës së Drenasit, për furnizim me ujë që është në fazë të mirë”, tha ministri Kuçi.

Krahas kësaj, me të parin e Drenasit u fol edhe ndërtimi i impiantit për trajtimin e ujërave të zeza që është projekt në horizont dhe pret të ecë përpara.

“Komuna e Drenasit dhe kryetari i komunës kanë bërë përpjekje maksimale duke rregulluar rrjetin e kanalizimit. Ne po bëjmë përpjekje për të gjitha mundësitë financiare, çfarë do forme, për ndërtimin edhe impiantin për trajtimin e ujërave të zeza”, përfundoi ministri Kuçi.

Ndërsa kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, tha se shumë shpejt do të përfundojë projekti në ndërtimin e shtratit të lumit Drenica dhe Verbica, dhe se lumenjtë do të jenë të pastër.

“Iu premtojmë qytetareve që shumë shpejt do t’i ndërtojmë dhe s’do ketë kundërmim të erërave në lumenj. Biseduam edhe për projekte tjera për Drenasin. Ministri ka shprehur gatishmërinë për të ndihmuar”, tha Lladrovci.

Të ngjashme