Anketa e re: Macroni pritet të sfidohet nga një grua në balotazh

Prishtinë | 18 Dhj 2021 | 16:07 | Nga Ekonomia Online

Sipas një ankete të re, konservatorja Valerie Pecresse ka të ngjarë të jetë kundërkandidatja e Presidentit Emmanel Macron në rundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale vitin e ardhshëm.

Rezultatet e anketës së kryer nga “Ipsos/Sopra Steria” treguan se Pecresse do të fitojë 17 për qind të votave në rundin e parë, dhjetë për qind më shumë sesa në një anketë të muajit tetor.

Sidoqoftë, ajo ende ka shumë më pak përkrahje se presidenti i tanishëm, i cili në anketë e pati përkrahjen e 25.5 për qind të votuesve.

Dy kandidatët që do të fitojnë më së shumti vota në rundin e parë të 10 prillit do të përballen në balotazhin që do të mbahet më 24 prill, shkruan Reuters.

Personaliteti medial i të djathtës ekstreme, Eric Zemmour, i njohur për deklaratat kundër të huajve dhe që në disa anketa më herët ka dalë i dyti, kësaj radhe pësoi rënie të përkrahjes në 14.5 për qind, nga 16 për qind sa kishte në tetor. Të njëjtën rënie e pësoi edhe djathtistja tjetër ekstreme, Marine Le Pen.

Në anketë morën pjesë më shumë se 10.000 persona përmes internetit. Anketa u zhvillua nga data 7 deri më 13 dhjetor.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme