Ankohet kryeministri grek: Aeroplanët turq e penguan helikopterin tim

Prishtinë | 25 Mar 2019 | 17:38 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri i Greqisë, Alexis Tsipras, e ka akuzuar Turqinë për pengim të helikopterit të tij me aeroplanë luftarakë përderisa ai ishte duke udhëtuar për të marrë pjesë në një ceremoni për shënimin e pavarësisë.

Tsipras tha se helikopteri i tij është detyruar të fluturojë në lartësi të vogël për shkak se aeroplanët luftarakë të Turqisë hynë në hapësirën ajrore të Greqisë. Ai e akuzoi Turqinë për veprime qesharake, të cilat nuk kanë kurrfarë kuptimi.

Sidoqoftë, forcat turke të sigurisë i kanë mohuar këto akuza, duke thënë që aeroplanët kanë qenë duke e kryer një mision rutinor.

“Ushtria greke i pengoi forcat që e shkelën hapësirën ajrore të Greqisë”, tha Tsipras gjatë një fjalimi në ishullin e vogël të Agathonisit, i cili ndodhet afër pjesës aziatike të Turqisë.

“Pata nderin që t’ju pres juve dhe disa aeroplanë luftarakë të Turqisë. Ndoshta ata dëshiruan të marrin pjesë në festime”, tha ai.

Marrëdhëniet mes dy vendeve kanë qenë të tensionuara për disa dekada për shkak të mosmarrëveshjeve për territor në rajonin e Detit Egje.

Sidoqoftë, Tsipras dhe Erdogan kanë bërë përpjekje që t’i përmirësojnë marrëdhëniet. Në vitin 2017, Erdogan u bë presidenti i parë turk që e vizitoi Greqinë pas 65 vjetësh, shkruan “BBC”, transmeton Gazeta Express.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme