Mesfushori i Barcelonës, Ivan Rakitic, ka thënë se skuadra e tij e kishte të vështirë ta sulmonte Napolin, për shkak se skuadra e Gennaro Gattusos u mbrojt me 11 lojtarë në barazimin 1:1 të martën në Ligën e Kampionëve.
Dries Mertens shënoi për epërsinë e Napolit, por Antoine Griezmann me një gol në pjesën e dytë i siguroi Barcelonës një barazim të vlefshëm në takimin e parë të 1/8 së finales në San Paolo, para ndeshjes së kthimit në Camp Nou pas tri javësh.
Baca hasi në vështirësi të krijojë raste shënimi dhe mesfushori kroat shpjegon pse.
“Ne e dinim se do të ishte një ndeshje e vështirë. Napoli e mbylli ndeshjen. Ne bëmë një gabim dhe ata shënuan”, tha Rakitic.
“Është e vështirë të sulmosh kundër një ekipi që mbrohet me 11 persona. Duhet të kemi shumë vetëbesim dhe të përgatitemi mirë për ndeshjen e kthimit. Jam i bindur se do ta bëjmë një paraqitje madhështore në Barcelonë”, shtoi ai.
Ndeshje a kthimit do të zhvillohet më 18 mars në Camp Nou.