Në 18 ditët e para të vitit 2024 janë shtuar 112 fluturime në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, ose rreth 23 mijë udhëtarë më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Zëdhënësja Valentina Gara ka konfirmuar shtimin e numrit të udhëtarëve, që besohet se ka ndodhur shkaku i liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.
“Nga data 1 deri më 18 janar 2024, kemi rreth 20% fluturime më shumë dhe rreth 15% udhëtarë më shumë se sa në periudhën e vitit të kaluar. Përafërsisht 112 fluturime janë më shumë dhe rreth 23 mijë udhëtarë më shumë”, tha Gara për Tëvë1.
E përveç transportit ajror, qytetarët e Kosovës po udhëtojnë edhe me autobusë.
Sipas zëdhënëses së Stacionit të Autobusëve në Prishtinë, Shqipe Durimishi, gjatë javës së parë të janarit ka pasur më shumë linja qarkullimi.
Mirëpo, Durmishi thotë se kjo ndodh kur është periudha e festave dhe pushimeve.
Me liberalizimin e vizave, nga 1 janari kosovarët gëzojnë të drejtë të qëndrojnë në zonën Shengen për 90 ditë brenda një periudhe prej 180 ditësh.
Ndërkohë, sipas një hulumtimi të institutit GAP, 28% e qytetarëve planifikojnë të emigrojnë në Zonën Shengen në tremujorin e parë të këtij viti.