Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve “Shota” sivjet do të marrë pjesë në festivalet e mëdha të folklorit në Buyukçekmece të Turqisë dhe Seul të Koresë së Jugut.
Fillimisht trupa e Ansamblit do të udhëtojë për në Turqi, më datë 25 korrik, ku nga 26.07-03.08.2019 do të mbahet edicioni i 20-të i Festivalit Ndërkombëtar i Kulturës dhe Arteve.
Në këtë festival marrin pjesë 28 shtetet pjesëmarrëse, si Brazili, Kroacia, Afrika Jugore, Portugalia, Indonezia, Ukraina, Republika Ceke, Venezuela, Maqedonia e Veriut, Greqia, Qiproja, Bullgaria, Panama, India, Gjeorgjia, Rusia, Sllovakia etj, shkruan ksp.
Më vonë, nga data 25 shtator, “Shota” do të udhëtojë drejt Seulit, ku edhe në Lindjen e Largët, në Festivalin “Cheonean Folklore and Dance Festival”, do të prezantojë kulturën dhe traditën tonë.
Në mes të këtyre dy festivaleve, “Shota” ka pranuar edhe një ftesë nga komuniteti arbëresh i Horës së Arbëreshëve (Sicili), për të marrë pjesë në manifestimin tradicional “Festa e Themelimit” më 30 gusht 2019.
Ky aktivitet pritet të jetë në bashkë-organizim me Ministrinë e Diasporës të Kosovës.