Aktori i filmit “Baby Driver”, Ansel Elgort, më në fund ka reaguar ndaj akuzave kundër tij, për sulm seksual.
Duke e postuar një mesazh të gjatë në Instagram, Elgort i ka hedhur poshtë të gjitha spekulimet duke thënë se ai “kurrë nuk do ta sulmonte dikë seksualisht”, transmeton Koha.
Aktori i njohur hollywoodian është akuzuar për sulm seksual nga një adhuruese e tij, sipas së cilës rasti kishte ndodhur në vitin 2014 kur ajo ishte vetëm 17-vjeçare. Personi në fjalë e kishte ndarë një postim përmes llogarisë së saj në Twitter, i cili menjëherë u bë viral.
Në mesazhin e tij të postuar të shtunën mbrëma, aktori Elgort tha se po ndihet si stresuar nga fjalët që po shkruhen për të në rrjetet sociale.
“Nuk mund të them se i kuptoj ndjenjat e saj, por mund t’iu siguroj që përshkrimi i saj i ngjarjes është plotësisht i pasaktë. Unë kurrë nuk e kam sulmuar dikë seksualisht. Është e vërtetë se ne e kemi pasur një lidhje të shkurtër dhe konsensuale në vitin 2014, por fatkeqësisht unë nuk jam ndarë nga ajo në mënyrën e duhur. Thjeshtë, e shkëputa komunikimin me të, që është një veprim i pamatur dhe diçka e rëndë për t’ia bërë një personi. E di që kërkim falja me vonesë nuk i shfajëson sjelljet e mia. Dhe kur shikoj prapa në mënyrën si kam vepruar, ndjehem shumë i turpëruar. Më vjen vërtetë keq”, kishte shkruar Elgort në mesazhin e tij.
Ndërkaq, vajza e cila po e akuzon aktorin ka bërë të ditur se ajo ishte vetëm 17-vjeçare dhe nuk kishte eksperiencë seksuale, derisa aktori asnjëherë nuk e kishte pyetur nëse dëshiron të ndalej. Ai madje i kishte bërë komplimente të pahijshme si dhe i kishte kërkuar disa herë që t’i dërgonte fotografi nudo.
Ndër të tjera, ajo ka treguar se tani po ndihet e gatshme të flas për këtë eksperiencë të hidhur për të, dhe të provoj ta shërojë veten nga stresi emocional.