Drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), Naser Ramadani, është dashur që të zgjedhë në mes të pozitës së drejtorit të IKSHPK-së apo të kryetarit të shoqatës së mjekëve të Kosovës ose dy organizatave të tjera joqeveritare në të cilat kishte funksione.
Ramadani mbante pozitat e kryetarit të Shoqatës së Mjekëve të Kosovës dhe Akademisë së Shkencave Mjekësore të Kosovës, të dy organizata joqeveritare që merren me aktivitete në fushën e shëndetësisë. Kjo gjë përbënte shkelje të ligjit.
Pas këtij konstatimi të Agjencisë Kundër-Korrupsion, Naser Ramadani ka dhënë dorëheqje nga funksionet e tij në dy organizatat joqeveritare. Duke mbajtur kështu poziotën e kreut të IKSHPK-së.
“Zyrtari i lartë z. Ramadani, është pajtuar me konstatimet e Agjencisë Kundër-Korrupsionit dhe ka premtuar se do të ndërmarrë veprime në mënyrë që ta shmang gjendjen e konfliktit të interesit. Me veprimet e ndërmarra nga z. Ramadani është shmangur gjendja e konfliktit të interesit në ushtrimin e funksionit publik”, ka bërë të ditur AKK-ja.
Sipas AKK-së, drejtori i IKSHPK-së ndodhej në konflikt interesi prej disa muajsh pasi i kishte mbajtur pozitat e kryetarit të dy OJQ-ve në kundërshtim me Ligjin për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në Ushtrimin e Funksionit Publik.
“Agjencia Kundër Korrupsionit, sipas detyrës zyrtare, ka identifikuar rastin e konfliktit të mundshëm të interesit, sipas të cilit z. Ramadani duke qenë zyrtar i lartë publik, njëkohësisht ka mbajtur edhe funksionin e kryetarit dhe personit të autorizuar në dy Organizata Joqeveritare”, thuhet në vendimin e nxjerrë nga AKK-ja më 1 korrik.
E Ramadani ushtron edhe pozitën e profesorit të asocuar në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Prishtinës (UP).
Ai, prej disa udhëheq edhe me Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike, i cili është institucioni më i lartë shëndetësor i Kosovës.